Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Aliyev: Azerbajxhani mbështet krijimin e shtetit të pavarur të Palestinës me kryeqytet...

Aliyev: Azerbajxhani mbështet krijimin e shtetit të pavarur të Palestinës me kryeqytet Kudsin Lindor

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev shprehu sot mbështetjen e vendit të tij për krijimin e një shteti palestinez “të pavarur dhe sovran” me kryeqytet Kudsin Lindor, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Presidenca e Azerbajxhanit thuhet se komentet e Aliyevit erdhën gjatë një takimi me kryeministrin palestinez Mohammed Mustafa, gjatë të cilit ai shprehu besimin se vizita e kryeministrit palestinez do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore midis Azerbajxhanit dhe Palestinës.

“Presidenti i Azerbajxhanit theksoi se vendi ynë mbështet krijimin e një shteti palestinez të pavarur dhe sovran me kryeqytet Kudsin Lindor”, thuhet në deklaratë. Duke vënë në dukje se Mustafa i përcolli Aliyevit përshëndetjet e presidentit palestinez Mahmoud Abbas, deklarata thekson se ai i kërkoi kryeministrit palestinez që gjithashtu t’i përcjellë përshëndetjet e tij homologut të tij.

Sipas deklaratës, Mustafa nga ana e tij citohet të ketë pranuar se Palestina aktualisht ndodhet në një “situatë të vështirë”, dhe se ka shprehur shpresën se palestinezët do të jenë në gjendje ta kapërcejnë atë “me ndihmën e miqve”.

“Në këtë drejtim, ai shprehu mirënjohje kreut të shtetit për mbështetjen që Azerbajxhani i ka treguar Palestinës, si dhe për qëllimin për të ndërtuar një shkollë të mesme në Palestinë si mbështetje humanitare”, thuhet në deklaratë.

Më tej, thuhet se hapja e Zyrës Përfaqësuese të Azerbajxhanit në Ramallah dhe mbulimi nga Baku i shpenzimeve të Ambasadës Palestineze në Azerbajxhan u përshkruan gjatë takimit si “tregues të nivelit të lartë të marrëdhënieve tona dypalëshe”.

Sipas deklaratës, takimi kujtoi se Azerbajxhani ofroi 5 milionë dollarë ndihmë financiare për Palestinën pas Konferencës mbi Krijimin e një Rrjeti të Sigurisë Financiare Islame dhe Konferencës së Vendeve Donatore mbi Financimin e Planit Sektorial për Zhvillimin e Qytetit të Kudsit, të organizuar në Baku në vitin 2013 dhe ndër të tjera theksoi se Azerbajxhani gjithashtu ndihmon Palestinën përmes agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë.

“Fakti që 23 studentë palestinezë, nga gjithsej 37, po studiojnë në Azerbajxhan përmes ‘Grantit Ndërkombëtar të Arsimit Heydar Aliyev’ u vlerësua shumë. Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj Kryetarit të Shtetit për këtë”, thuhet në deklaratë.

Deklarata shtoi se temat e diskutuara gjatë takimit përfshijnë, ndër të tjera, eksportin e produkteve bujqësore palestineze në Azerbajxhan me kushte preferenciale.