Një adoleshent palestinez u plagos sot nga të shtënat e ushtrisë izraelite gjatë një bastisjeje në qytezën Bani Naim, në lindje të Al-Khalil (Hebron) në jug të Bregut Perëndimor të pushtuar, ndërsa ushtria arrestoi 32 palestinezë, sipas burimeve mjekësore dhe dëshmitarëve okularë, raporton Anadolu.
Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha në një deklaratë se ekipet e saj transferuan një 16-vjeçar në një spital pasi ai u qëllua në gjoks me municion të vërtetë gjatë bastisjes.
Forcat izraelite sulmuan qytezën Bani Naim me disa automjete ushtarake dhe hapën zjarr intensiv me municion të vërtetë, duke plagosur adoleshentin, thanë dëshmitarët okularë për Anadolu.
Në një zhvillim të veçantë, ushtria izraelite arrestoi 32 palestinezë gjatë bastisjeve të gjera nëpër qytete dhe qyteza të Bregut Perëndimor të enjten, sipas Zyrës së Mediave të të Burgosurve.
Grupi joqeveritar tha se arrestimet kishin në shënjestër disa ish të burgosur dhe të rinj dhe u shoqëruan me bastisje shtëpish, kontrolle, vandalizëm të sendeve personale dhe marrje në pyetje në terren të banorëve.
Arrestimet u përqendruan në provincën e Hebronit, ku 13 palestinezë u arrestuan në qytezën Beit Ummar, në veri të qytetit. Arrestimet e mbetura u zhvilluan në Betlehem në jug, Qalqilya, Tubas dhe Tulkarem në veri dhe Kudsin e pushtuar, tha grupi.
Bregu Perëndimor është përballur me përshkallëzimin e sulmeve të ushtrisë izraelite dhe okupatorëve që nga tetori i vitit 2023. Sipas shifrave zyrtare palestineze, sulmet kanë vrarë 1.179 palestinezë dhe kanë plagosur afro 13 mijë të tjerë ndërsa rreth 24 mijë palestinezë janë arrestuar.






