Ambasada Palestinese në Mbretërinë e Bashkuar ka kërkuar mbrojtjen e qeverisë britanike pasi një grup pro-Izrael, i maskuar, vandalizoi godinën e misionit diplomatik në Londër.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën në platformën X, Ambasada tha se “një grup personash, kryesisht të maskuar, që mbanin flamuj izraelitë, hynë pa leje dhe vandalizuan ambientet e ambasadës.”
Fotot e publikuara bashkë me deklaratën tregojnë demonstrues që mbajnë flamujt e Izraelit dhe Britanisë para ndërtesës të shtunën, ndërsa disa prej tyre shihen duke u ngjitur në shkallët e ambasadës dhe duke pozuar për fotografi.
Grupi gjithashtu vendosi ngjitëse me mbishkrime si “Anti-sionizmi është racizëm”, “E dua ushtrinë izraelite”, dhe “Nuk jemi hebrenj me gjunjë që dridhen”.
Ambasada ka kërkuar masa urgjente sigurie, duke e cilësuar incidentin si një akt provokues dhe të rrezikshëm ndaj përfaqësimit palestinez në Britani.








