Ambasadorët e Quintit te Haradinaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë, me të cilët bisedoi për çështjen e nismës së 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Kryeministri Haradinaj i falënderoi ambasadorët e Quintit për përkrahjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme për Kosovën në të gjitha proceset. Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi i respekton vendimet e të zgjedhurve të popullit”, thuhet në njoftimin për media të kryeministrisë.

Kuvendi i Kosovës mbrëmë është përfshirë në një situatë të jashtëzakonshme, kur 43 deputetë kishin nënshkruar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të zhbëhej Gjykata Speciale. Shumë nga këta deputetë nënshkrues sot thanë se nuk e kanë ditur se për çfarë po nënshkruajnë dhe se janë mashtruar./koha.net