Ambasadori i Iranit në Islamabad, Reza Amiri Moghadam u takua sot me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, pasi SHBA-ja zgjati në mënyrë të njëanshme armëpushimin, transmeton Anadolu.
Ata diskutuan për “situatën rajonale të vazhdueshme dhe përpjekjet për paqe”, sipas një deklarate nga zyra e Sharif. Nuk u specifikuan detaje të mëtejshme të takimit.
Trump të martën zgjati armëpushimin dyjavor me Iranin për t’i dhënë kohë Teheranit të përgatisë një “propozim të unifikuar”, pas një kërkese nga zyrtarët pakistanezë.
Përpjekjet intensive diplomatike nga Islamabadi synojnë të hapin rrugën për një raund të dytë bisedimesh SHBA-Iran, që priten së shpejti në kryeqytetin pakistanez. Megjithatë, Teherani tha se nuk do të merrte pjesë në bisedimet e shumëpritura derisa SHBA-ja të përfundojë bllokadën e tyre “të paligjshme” të porteve iraniane.
Raundi i dytë i bisedimeve ishte planifikuar të zhvillohej këtë javë në Pakistan, por Islamabadi tha se Teherani nuk e kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij pavarësisht vendimit të SHBA-së për të dërguar përfaqësuesit e saj, të udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance.
Washingtoni kërkon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila ka qenë pothuajse e mbyllur që nga 28 shkurti.
Teherani e shpalli ngushticën të hapur të premten, por e mbylli atë një ditë më vonë pasi Trumpi njoftoi se bllokada e porteve iraniane do të vazhdonte. Forcat amerikane të dielën ndaluan një anije mallrash iraniane pasi ata hapën zjarr dhe hipën në të.
Pakistani zuri vendin qendror kur ndërmjetësoi një armëpushim dyjavor midis SHBA-së dhe Iranit më 8 prill, i ndjekur nga bisedime kritike në Islamabad, ku morën pjesë delegacione të larta nga të dy vendet më 11 dhe 12 prill. Megjithatë, asnjëra palë nuk arriti një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme.
Armëpushimi ishte planifikuar të skadonte sot por Trumpi e zgjati atë pa dhënë afat të ri kohor.







