Andrew Tate e humb apelin kundër paraburgimit të dytë prej 30 ditësh

Një gjykatë rumune të mërkurën la në fuqi paraburgimin e dytë 30-ditor të influencuesit përçarës dhe ish-kikboksierit profesionist, Andrew Tate, i cili është arrestuar me dyshimin për krim të organizuar dhe trafikim njerëzor.

Tate humbi apelimin e tij kundër vendimit të 20 janarit të një gjyqtari për të zgjatur paraburgimin e tij për herë të dytë për 30 ditë, bëri të ditur Ramona Bolla, një zëdhënëse e agjencisë rumune kundër krimit të organizuar DIICOT, raportoi Associated Press.

Tate, 36 vjeç, me prejardhje britaniko-amerikane ka afro 5 milionë ndjekës në Twitter. Ai ka mbërritur në Gjykatën e Apelit të Bukureshtit i prangosur bashkë me vëllain e tij Tristanit, i cili mbahet në të njëjtën çështje së bashku me dy gra rumune.

Gjykata hodhi poshtë të katër ankesat dhe ata do të qëndrojë në paraburgim deri më 27 shkurt, derisa prokurorët vazhdojnë hetimin e çështjes. Ata humbën më parë një apel kundër një zgjatjeje të mëparshme 30-ditore.

Një dokument i parë nga Associated Press që shpjegon vendimin e 20 janarit, tha se gjyqtari mori parasysh “rrezikshmërinë e veçantë të të pandehurve” dhe aftësinë e tyre për të identifikuar viktimat “me një cenueshmëri të shtuar”.

Ioan Gliga, një avokat që përfaqëson vëllezërit Tate, u tha mediave të mërkurën përpara se gjykata të vendoste, se mbrojtja paraqiti “argumente të forta” se periudha e zgjatur e paraburgimit “nuk është e nevojshme”. /koha