Apostolova: Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave

Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret që qytetarët e saj të lëvizin pa viza në vendet e BE-së por mbetet në diskrecionin e shteteve anëtare të BE-së të vendosin nëse liberalizimi do të ndodh.

Kështu ka deklaruar në intervistën dhënë për lajmi.net, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Apostolova për lajmi.net është shprehur se Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë konstatuar se Kosova i ka mbushur të gjitha kushtet por mbetet në vendimin e shteteve anëtare të BE-së se çfarë do të ndodh në këtë temë.

Ajo, ka porositur autoritetet kosovare të lobojnë në mënyrë që t’i bindin shtetet anëtare të BE-së sa më shpejtë që liberalizimi i vizave të ndodh.

“Ne duam që kosovarët të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian e kanë thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe kanë rekomanduar që të hiqen vizat për Kosovën. Tani duhet të merret një vendim përfundimtar nga shtetet anëtare të BE-së. Autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka munden që t’i bindin sa më shpejt shtetet anëtare të BE-së se pranimi i udhëtimit pa viza brenda Zonës Schengen për kosovarët është një fitore për të dyja palët.”, thuhet në përgjigjen e BE-së për lajmi.net.

Më tutje, Apostolova ka thënë se rrugët e Kosovës dhe BE-së do të jenë gjithmonë të bashkuara, duke shtuar se rinia e Kosovës është gjëja më mbresëlënëse lidhur me shtetin më të ri në kontinent.

Më poshtë, mund ta lexoni të plotë intervistën e shefes së BE-së në Kosovë ku ajo flet për zhvillimet politike dhe ekonomike të Kosovës, kryeministrin Kurti dhe dialogun Kosovë – Serbi:

Lajmi.net: Znj.Apostolova, detyra juaj në Kosovë është zgjatur edhe për 6 muaj, si ka qenë përvoja jote në Kosovë gjatë këtyre viteve?

Zyra e BE-së në Kosovë: Kosova përballet me disa çështje të rëndësishme për të ardhmen e saj. E para është arsimi. Kosovës i duhet një sistem modern arsimor; një sistem i përgatitur siç duhet për trajtimin e sfidave moderne. Si BE, ne e kemi veçuar arsimin si prioritet kryesor të ndihmës sonë për Kosovën. Shpresojmë që politikë-bërësit e Kosovës, qoftë në qeveri apo opozitë, t’i përgjigjen njësoj vendosmërisë sonë për të sjellë ndryshime.

Po ashtu, njerëzit duhet të jenë në gjendje të hyjnë në treg mbi baza konkurruese. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), që Kosova ka nënshkruar me BE-në, mund të jetë ndihmë e madhe. Sidoqoftë, ajo duhet të zbatohet.

Lajmi.net: Ku ka ngecur Kosova gjatë këtyre viteve dhe çfarë duhet të bëjë ndryshe?

Zyra e BE-së në Kosovë: Luftimi i korrupsionit ka rëndësi kyçe. Të rinjtë duhet ta shohin dhe besojnë se përparimi i tyre është rezultat i punës së palodhur dhe meritës së tyre, dhe jo i lidhjeve politike apo familjare.

BE-ja ka investuar mbi 2.5 miliardë euro në çdo segment të shoqërisë gjatë dy dekadave të fundit. BE-ja është investitori, donatori dhe partneri kryesor tregtar i Kosovës. Ne kemi krijuar mijëra vende pune, kemi mbështetur qindra ndërmarrje, dhe kemi ndërtuar shumë shkolla. Falë fondeve të BE-së, Prishtina tani ka furnizim të pandërprerë me ujë, dhe dhjetëra mijëra qytetarë gëzojnë ngrohjen publike të klasit të parë.

BE-ja i ofron mbështetje të fortë Kosovës për mbrojtjen e mjedisit. Ne jemi duke investuar 76 milionë euro për zvogëlimin e ndotjes dhe rreziqeve shëndetësore nga termocentrali Kosova B. Komisioni Evropian sapo ka lansuar “Marrëveshjen e Gjelbër” për arritjen e zero emetimeve të karbonit dhe neutralitetit klimatik deri në vitin 2050. Kosova është Evropë, dhe duhet të jetë pjesë e kësaj përpjekje të përbashkët.