Arabia Saudite dhe Franca diskutojnë për zhvillimet rajonale

Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman diskutoi me ministren e Jashtme të Francës, Catherine Colonna për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të Arabisë Saudite SPA, Bin Salman u takua me ministren e Jashtme franceze, Colonna e cila zhvilloi një vizitë zyrtare në vend.

Në takim u diskutuan zhvillimet dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare, duke trajtuar mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet Arabi Saudite-Francë.

Ministrja franceze, Colonna, mbërriti mbrëmë në Arabinë Saudite. Ajo u prit në Aeroportin Ndërkombëtar “Mbretit Khalid” nga zëvendësministri i Jashtëm saudit, Walid al-Khariji.

Ministria e Jashtme e Francës dje njoftoi se ministrja Colonna do të zhvillojë vizitë në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në datat 1-3 shkurt.

Kanali “France 24” raportoi se kjo ishte vizita e parë e Colonna-s në Gjirin Persik ndërsa u tha se në takim do të diskutohen zhvillimet në lidhje me çështjen bërthamore të Iranit, situatën në Liban dhe Palestinë.