Arrestohen dy policët malazezë për rrahjen e profesorit shqiptar

Ushtruesi i detyrës së prokurorit në Ulqin, ka urdhëruar arrestimin e dy policëve të Malit të Zi, të cilët dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më 15 janar në pikën e përbashkët kufitare Sukobin – Muriçan, ku është keqtrajtuar një shtetas shqiptar. Bëhet fjalë për policët me inicialet D.SH. dhe N.B.

Kujtojmë se në një video shihet një punonjës policie i Sektorit të Policisë Kufitare, duke ushtruar forcë fizike ndaj një shtetasi shqiptar, transmeton Telegrafi.

Siç raporton transmetuesi publik i Mali të Zi Ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Filip Axhiq, duke folur për rastin me policinë kufitare, ka thënë se MPB-ja ka nisur të gjitha procedurat ligjore.

Ai shtoi se nëse ka elementë, fton prokurorinë që të përfshihet në atë rast. Në video shihen dy policë të Malit të Zi, duke rrahur profesorin shqiptar Petraq Milo.

Më herët, Komisioni i Etikës njoftoi se një video incizim i asaj ngjarjeje doli në media më 17 janar, dhe se po atë ditë kryetari i atij organi u dërgoi anëtarëve një iniciativë për të vlerësuar etikën e veprimeve të punonjësve të Policisë Kufitare.