Arteta shpreson që Xhaka të mos largohet nga Arsenali

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka thënë se shpreson që mesfushori shqiptar Granit Xhaka të mos largohet nga “Topçinjtë”.

Në konferencën për media pas humbjes nga Chelsea 2 me 1, Arteta ka thënë se Xhaka ka munguar në ndeshje për shkak se ka qenë me temperaturë, shkruan koha.net.

“Ai luajti ndaj Borunemouthit, ishte shumë i mirë, ishte i përkushtuar, pati paraqitje shumë të mirë. Pas ndeshjes nisi të ndihej keq. Kishte temperaturë dhe s’po ndihej mirë. Qe dy ditë ka qenë i shtrirë. Për këtë nuk është ftuar”, ka thënë Arteta.

I pyetur nëse lojtari do të largohet, siç edhe është spekuluar, Arteta ka qenë i shkurtër: “Shpresoj që jo”.

Xhaka qe një kohë flitet se do të largohet nga “Topçinjtë” në afatin kalimtar të janarit për shkak të përplasjes që kishte pasur në fillim të sezonit me tifozët e klubit e që çoi në heqjen e shiritit të kapitenit për të. Ai është përfolur më së shumti për një transferim te Hertha Berlini në Gjermani.

Edhe ish-trajneri i Arsenalit, Unai Emery, në një intervistë për BBC-në të dielën ka thënë se Xhaka ka vlerat e një lideri dhe për këtë nuk duhet të largohet nga londinezët.

“Lideri i natyrshëm në zhveshtore, për shkak të vlerave dhe atë që përfaqësonte, ishte Granit Xhaka. Pati një votim për të parë nëse ajo që mendoja për të ishte ajo që e ndiejnë edhe lojtarët, dhe ashtu doli. Rrethanat bënë që Xhaka të kishte përplasje me fansat, por ai është lideri për të cilin skuadra ka nevojë tani, sepse përfaqëson vlera, ka respekt nga të gjithë dhe për shkak të përvojës së tij”, ka deklaruar Emery.