Forcat izraelite kryen bombardime me artileri dhe hapën zjarr ndaj disa qyteteve në jug të Libanit, duke shënuar një shkelje tjetër të marrëveshjes së armëpushimit në fuqi që nga nëntori i vitit 2024, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA njoftoi se pesë predha artilerie izraelite goditën zonën Wadi Mazlam, ndërsa mitralozë të rëndë shënjestruan periferinë e qytetit kufitar Yaron.
Sipas NNA-së, një dron izraelit gjithashtu hodhi dy bomba zanore pranë qytetit Aita al-Shaab në rrethin Bint Jbeil.
Bombardime të tjera me artileri të kalibrit të rëndë u raportuan në periferinë e rrethit Beit Lif, ndërsa qytetet Aitaroun dhe Blida gjithashtu u përballën me breshëri zjarri.
Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar nga të shtënat.
Sulmet vijnë në mes të shkeljeve të përsëritura izraelite të marrëveshjes së armëpushimit, të cilat kanë shkaktuar të vrarë dhe të plagosur në mesin e qindra libanezëve. Izraeli vazhdon të mbajë nën pushtim pesë kodra libaneze të marra nën kontroll gjatë luftës së fundit, si dhe zona të tjera libaneze që i kontrollon prej dekadash.
Izraeli nisi operacionet ushtarake kundër Libanit në tetor të vitit 2023 dhe i përshkallëzoi ato në një luftë të plotë në shtator të vitit 2024, duke vrarë më shumë se 4 mijë persona dhe duke plagosur rreth 17 mijë të tjerë.

