Të memorizosh dhe të ruash Kuranin nuk do të thotë të zotërosh vetëm tingullin e saktë të shkronjave, as të zotërosh ndaljen dhe fillimin e recitimit, as të mahnitësh njerëzit me bukurinë e recitimit.
Por ruajtja e vërtetë e tij është kur fjalët e shpalljes hyjnore e formësojnë zemrën tënde para se të formojnë gjuhën tënde, dhe e pastrojnë shikimin tënd ndaj njerëzve para se të përmirësosh të lexuarin e saktë të ajeteve.
Për shembull, Sure Huxhurat nuk e lidh besimin e njeriut me zërin e bukur, as me fjalën e fuqishme, por e lidh me etikën që ruan dinjitetin, me një zemër që njeh kufijtë e saj, dhe me një gjuhë që nuk lëndon në emër të së vërtetës, nuk tall në emër të thirrjes dhe nuk thumbon në emër të xhelozisë.
Kush e memorizon të gjithë Kuranin, por nënvlerëson njerëzit, qesh me dobësitë e tyre, i klasifikon dhe i rrëzon me një fjalë, nuk shkel vetëm etikën sociale, por shkel edhe qëllimin madhor të Kuranit, sepse Kurani nuk iu shpall vetëm për t’u recituar nëpërmjet gjuhëve, por për të krijuar zemra që dinë ta nderojnë, që ruajnë nivelet dhe që frikësohen të thyjnë zemrën e një njeriu.
Të nderuar vëllezër dhe motra!
“Askush të mos tallë një grup tjetër njerëzish” nuk i drejtohet të paditurve ose hipokritëve, por në mënyrë të drejtpërdrejtë i drejtohet besimtarëve, për t’u thënë qartë dhe pa ekuivok: Kini kujdes… mund t’i memorizoni fjalët e shpalljes, por të humbisni njeriun.
Tallja nuk është shaka, por stërvitje e fshehtë për ashpërsi.
Thumbimi nuk është zgjuarsi, por konsumim i mëshirës.
Fyerjet nuk janë përshkrim, por vrasje e ngadaltë e dinjitetit.
Kush zakonisht ndjek këtë rrugë, zemra e tij bëhet e ftohtë, edhe pse shumë reciton, edhe pse shumë natën qëndron në ibadet.
Kurani nuk të ndalon të shprehesh, të kritikosh ose të denoncosh të keqen, por të ndalon të bësh këtë ndërkohë që poshtëron, përbuz ose gëzohesh me rrëzimin e të tjerëve.
Dhe këtu lind pyetja që nuk mund të shmanget: A i ruajmë mësimet e Kuranit… apo vetëm fjalët e tij?
Kush nuk ruan dinjitetin e krijesave, ende nuk kupton pse u shpall Kurani.
Kush nuk mëson të kujdeset për zemrat e njerëzve, nuk mund të sigurohet për efektin e Kuranit në zemrën e tij.
Ashtu si ruani fjalët e shpalljes hyjnore, ruani dinjitetin e njerëzve. Vetëm me këtë peshore mund të njohësh sinqeritetin e memorizimit, të matësh shëndetin e zemrës dhe që Kurani të ketë efektin e tij të vërtetë.
Autor: Durejd Ibrahim el Mosuli
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com







