“AstraZeneca” ndryshon emrin e vaksinës së saj në “Vaxzevria”

“Vaxzevria” është emri i ri i vaksinës kundër koronavirusit (Covid-19) i zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike “AstraZeneca”.

 

Sipas shtëpisë mediatike ruse “Sputnik”, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) me anë të një deklarate me shkrim njoftoi se duke filluar nga 25 marsi vaksina, e referuar më parë si “AstraZeneca”, kishte marrë emrin e saj të ri, “Vaxzevria”.

Sipas portalit të Agjencisë Suedeze të Barnave, ndryshimi i emrit nuk do të çojë në ndonjë ndryshim tjetër, por ekspertët e vaksinave duhet të jenë të njohur me ndryshimin e emrit, pasi informacioni i produktit, etiketimi dhe paketimi mund të duken ndryshe.

Ndryshimi i emrit vjen pas raporteve në muajin e kaluar që njerëzit që morën vaksinën kishin komplikime të rrezikshme.

Disa vende evropiane kanë pezulluar përdorimin e vaksinës “AstraZeneca” për shkak të shqetësimeve në lidhje me raportet e mpiksjes së gjakut.

Ekspertët e EMA-së nuk kishin konfirmuar që vaksina “AstraZeneca” rrit rrezikun e mpiksjes së gjakut. Duke deklaruar vaksinën të sigurt, EMA vuri në dukje se epërsia dhe efektiviteti i kësaj vaksine ishin shumë më të larta se rreziqet e mundshme. /trt