Auditori i Përgjithshëm publikon raportin për Kuvendin e Kosovës

Auditori i Përgjithshëm ka publikuar raportin vjetor për menaxhimin e financave publike në Kuvendin e Kosovës, ku e ka vlerësuar institucionin më të lartë legjislativ me nota pozitive pwr menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike.

Raporti i Auditorit për vitin 2017 e ka ngritur Kuvendin e Kosovës si një ndër institucionet më transparente dhe më të përgjegjshme në shpenzimin e buxhetit.

Ajo që bie sy në raportin e Auditorit i cili ka bërë edhe krahasime ndër vite për mënyrën e menaxhimit të Kuvendit, vërehet se në tri vitet e fundit që Kuvendi udhëhiqet nga kryeparlamentari Kadri Veseli, është shënuar shumë progres në rritjen e transparencës dhe menaxhimit efikas të buxhetit të Kuvendit të Kosovës.

“Sipas opinionit tonë, Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik (sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme), Ligjit nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (me plotësime dhe ndryshime) dhe Rregulloren MF, Nr. 01/2017 për raportim vjetor financiar nga organizatat buxhetore”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Sipas raportit, Kuvendi i Kosovës ka realizuar në masën mbi 90 përqind të buxhetit pa asnjë parregullsi, ndërsa po ashtu është vlerësuar edhe transparenca gjatë realizimit të gjitha pagesave sipas kategorive të buxhetit të Kuvendit.

Auditori ka vlerësuar në raport se nuk ka gjetur asnjë vërejtje në menaxhimin e prokurimit publik dhe në menaxhimin e kontratave.