Ballina Lajmet Kosovë AUV asgjëson mbi 7,900 produkte ushqimore për fëmijë të markave Aptamil dhe...

AUV asgjëson mbi 7,900 produkte ushqimore për fëmijë të markave Aptamil dhe Nutricia Bebelac

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me kompaninë UNION shpk, janë asgjësuar 7,998 copë produkte ushqimore për fëmijë, me peshë totale prej 4,130.80 kg, të markave Aptamil dhe Nutricia Bebelac.

Sasia e asgjësuar është përzgjedhur sipas datave të skadencës, në përputhje me njoftimet e pranuara nga Njësia e Alarmit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF).

“Ne jemi duke verifikuar dhe gjurmuar nëse ndonjë sasi e këtyre produkteve ka mbetur ende në treg, për të garantuar që konsumatorët të mos ekspozohen ndaj rrezikut”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Agjencia po thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese. “Qëllimi ynë kryesor është garantimi i sigurisë ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës”, bëhet e ditur.

Ky veprim vjen si pjesë e angazhimit institucional për të parandaluar rreziqet që mund të shkaktojnë produktet ushqimore të skaduara ose të pasigurta për fëmijët.