Avokati i Popullit Hilmi Jashari në një intervistë për lajmi.net ka thënë se do t’i pranojnë në takim familjarët e të dënuarve në rastin e njohur si “Kumanova”, që u dënuan 16 kosovarë.
Ai ka thënë se do të bashkëpunojë me Avokatin e Popullit të Maqedonisë për ta vërtetuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut.
Lajmi.net ju sjellë një pjesë të intervistës ku Jashari flet për rastin e njohur si “Kumanova”, ndërsa nesër do ta sjell intervistën e plotë.
Lajmi.net: A janë ankuar familjarët e të dënuarve të rastit Kumanova?
Hilmi Jashari: Jo, nuk kemi pasur ndonjë rast. Do t’i pranojmë nëse kërkojnë takim. Nuk mund të prononcohem për rastin e tyre, sepse nuk kemi pasur një kërkesë. Në situata të tilla Avokatët e Popullit bashkëpunojnë, për ta vërtetuar nëse ka pasur shkelje të drejtave të njeriut, prandaj në këto situata ndoshta veprimi i parë, po e them hipotetikisht, kur unë do të kërkoja nga homologu im që t’i nis hetimet për ndonjë pretendim eventual.
Lajmi.net: Tash për tash nuk do të nisni ndonjë procedurë për këtë rast?
Hilmi Jashari: Jo pa pasur ndonjë ankesë, sepse flasim me hamendësim.








