Babë e bijë pushtojnë lartësitë qiellore në aviacionin akrobatik

Pionierët e aviacionit akrobatik në Turqi Ali Ismet Ozturk dhe Semin Ozturk Sener performuan një shfaqje fantastike në qiellin mbi Eskisehir, ndërsa ngjarja edhe më shumë ka tërhequr vëmendjen për shkak se pilotët ishin babë e bijë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ozturk është piloti i parë profesional akrobatik në Turqi, kurse për partnere në ajër ka vajzën e tij Sener, e cila ndoqi hapat e tij dhe u bë femra e vetme që merret profesionalisht me këtë disiplinë sfiduese ajrore.

Këta të dy performuan në një paradë të përbashkët në Eskisehir, ku ndodhet Qendra Ndërkombëtare për Aviacionin Akrobatik.

Ozturk për AA tha se ishte një eksperiencë e veçantë të harmonizosh sfidat e manovrës me vajzën për partnere.

“Në këtë rast, doli se nxënësi e ka tejkaluar mësuesin. Semin ka investuar shumë mund duke braktisur gjërat tjera, dhe nuk kishte asnjë dyshim se do të më tejkalonte. Çështja ishte se kur do të ndodhë kjo”, tha Ozturk.

Duke theksuar se nuk është aspak e lehtë të jesh edhe baba edhe mësues, Ozturk tha se çelësi i suksesit të tyre ishte në duart e Seminit të guximshme, e cila gjatë stërvitjeve sillej sikur rekrute dhe si një vajzë e përkëdhelur.

“Pas shumë orë të kaluara në të njëjtën kabinë, Semin u bë pilote e avionit ‘Pitts S2-B’, kurse unë mora avionin ‘Mor Menekshe’. Ajo është lidere gjatë paradës ndëkaq unë e ndjek. Ishte kjo një shpërthim i paparë i emocioneve”, tha Ozturk.

Ai shtoi se është krenar për arritjet e Seminit në arenën vendore dhe ndërkombëtare dhe që prezanton simbolin e trimërisë së grave turke.

Femra e vetme në aviacionin akrobatik të Turqisë, Sener, për AA tha se me të atin kishte ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera paralele, së pari si prind dhe vajzë, pastaj edhe si mësues dhe nxënëse.

“Është një lumturi e papërshkrueshme kur në qiell shoh babain pranë meje, i cili me durim pret dhe vëzhgon çdo manovër timen”, tha Sener, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që edhe pjesa tjetër e familjes i mbështetë në punën që bëjnë.

Ndër fluturimet e saj më të rëndësishme Sener konsideron pjesëmarrjen në turneun ndërkombëtar që u mbajt në Rumani në korrik, në të cilin mori pjesë si femra e vetme dhe si pjesëmarrësja më e re.

Babai dhe vajza Ozturk do të fluturojnë përsëri së bashku në Eskisehir këtë verë në një eveniment ndërkombëtar i cili do të mbledhë 50 pilotë akrobatik nga të paktën shtatë vende të botës.