Ballina Artikuj Bahri ef. Simnica – Shkrim përkujtimor

Bahri ef. Simnica – Shkrim përkujtimor

Bahri ef. Simnica (r.a)
Para disa orësh morëm lajmin e dhimbshëm për ndarjen nga jeta të Bahri ef. Simnicës, njërit prej personaliteteve të shquara të Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili për dekada me radhë i shërbeu fesë, arsimit dhe institucioneve të saj.
Bahri ef. Simnica i përkiste gjeneratës së parë të studentëve shqiptarë nga Kosova që studiuan në Universitetin Islamik të Medinës, në Arabinë Saudite. Pas përfundimit të studimeve, u kthye në vendlindje dhe iu përkushtua shërbimit fetar, fillimisht si imam, hatib dhe ligjërues, e më pas edhe arsimit dhe veprimtarisë institucionale të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Fillimisht e kam njohur si ligjërues në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, në vitet ’90, kur isha student në Universitetin e Prishtinës. Në atë kohë, ai mbante hytbe dhe ligjërata të së premtes, përmes të cilave përcillte mesazhe fetare dhe kontribuonte në përhapjen e dijes islame.
Më vonë, veprimtaria e tij u shtri edhe në fushën e arsimit fetar, ku punoi si edukator dhe pedagog në Medrese, duke u angazhuar në formimin e brezave të rinj.
Pas luftës, rrugët tona profesionale u bashkuan në revistën Dituria Islame. Unë punoja si gazetar, ndërsa Bahriu ishte fillimisht anëtar i redaksisë. Më vonë, mori detyrën e kryeredaktorit, të cilën e ushtroi për dy mandate, gjithsej rreth katër vjet.
Gjatë kësaj periudhe patëm bashkëpunim të afërt profesional, që më dha mundësinë ta njihja më mirë nga afër. Bahriu dallohej për seriozitetin, përgjegjësinë dhe përkushtimin ndaj punës redaksionale. Ai kujdesej që revista Dituria Islame të ruante cilësinë dhe të përmbushte misionin e saj në përhapjen e dijes fetare dhe pasurimin e literaturës islame në gjuhën shqipe.
Pas përfundimit të detyrës së kryeredaktorit, Bahri efendiu u emërua drejtor i Medresesë, ku shërbeu për dy mandate. Në këtë mënyrë, ai vazhdoi angazhimin e tij në arsimin fetar, tashmë edhe në drejtimin e një institucioni të rëndësishëm të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Rrugëtimi i tij profesional, nga shërbimi në xhami dhe puna në arsim, te veprimtaria në revistën Dituria Islame dhe drejtimi i Medresesë, dëshmon për një jetë të kaluar në shërbim të fesë dhe institucioneve të saj.
Për mua, kujtimi i Bahri ef. Simnicës lidhet veçanërisht me bashkëpunimin në redaksinë e Diturisë Islame, ku pata rastin të vlerësoja seriozitetin dhe përgjegjësinë me të cilën ai e trajtonte punën.
Ndarja e tij nga kjo botë është humbje për familjen, kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën. Ai do të kujtohet për angazhimin e tij në arsimin fetar, për kontributin në botimet islame dhe për shërbimin shumëvjeçar në Bashkësinë Islame të Kosovës.
Familjes, kolegëve, miqve dhe të gjithë të afërmve u shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Allahu e mëshiroftë dhe e gradoft me Xhenet.

Ramadan Shkodra