Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Balluku, para gjyqit për pesë akuza

Balluku, para gjyqit për pesë akuza

Një lajm nga SPAK që vjen në momentin më të keq të qeverisë

SPAK i ka komunikuar zyrtarisht Belinda Ballukut, ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, akuzat përfundimtare për pesë vepra penale.

Ky është një zhvillim i rëndësishëm në një nga çështjet që kanë tronditur qeverinë, por edhe një provë e re për qëndrimin e Edi Ramës ndaj njërës prej bashkëpunëtoreve të tij më të afërta politike.

Ai vjen në një moment kur qeveria e Edi Ramës po përballet me presion të shtuar publik dhe protesta që kanë vënë në pikëpyetje jo vetëm vendimet e saj, por edhe përgjegjësinë e pushtetit për korrupsionin e dyshuar.

Sipas njoftimit të SPAK, Balluku akuzohet për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë, në bashkëpunim dhe në nëntë raste; korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike; korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë; mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë, në dy raste; si dhe pastrim të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, lidhur me dy pasuri të paluajtshme.

Në thelbin e dosjes qëndrojnë tenderë me vlerë të konsiderueshme. Balluku është marrë e pandehur për procedurën e ndërtimit të tunelit të Llogarasë, me vlerë rreth 190 milionë euro, ndërsa dyshimet lidhen edhe me tenderin prej 20 milionë eurosh për lotin e katërt të Unazës së Madhe të Tiranës.

Sipas SPAK, fituesit dyshohet se janë paracaktuar përmes ndërhyrjeve dhe mbikëqyrjes së procesit të garës.

Pyetja politike, megjithatë, shkon përtej zyrave të SPAK-ut: çfarë do të bëjë Edi Rama? Kryeministri e pati njëherë rastin të paraqitet si mbështetës i drejtësisë dhe i luftës kundër korrupsionit.

Por testi i vërtetë nuk është se sa herë përsëritet kjo formulë në deklarata publike, por nëse ajo vlen edhe për njerëzit që kanë ushtruar pushtet pranë tij.

Balluku nuk ishte një ministre periferike, e cila kaloi rastësisht në kabinet. Ajo ishte zv.kryeministre dhe një nga figurat me peshë në qeverisjen e Ramës. Prandaj, çështja e saj nuk mund të ndahet lehtësisht nga përgjegjësia politike e kryeministrit për mënyrën se si funksionon pushteti që ai drejton.

Në këtë pikë, dallimi mes përgjegjësisë penale dhe asaj politike është thelbësor. Për fajësinë penale vendos gjykata, ndërsa për përgjegjësinë politike publiku ka të drejtë të kërkojë llogari që tani.

SPAK njoftoi gjithashtu se po vijon veprimet procedurale për t’u komunikuar akuzat edhe personave të tjerë të përfshirë në çështje. Kjo do të thotë se hetimi nuk është thjesht një kapitull i mbyllur, por një proces që mund të sjellë zhvillime të tjera.

Mbetet për t’u parë nëse Rama do ta lërë drejtësinë të veprojë pa pengesa apo do të përpiqet ta mbajë çështjen brenda kufijve të kontrollueshëm politikë. Për momentin, komunikimi i pesë akuzave nuk është i barabartë me arrestimin dhe as me shpalljen e fajësisë.

Çdo masë sigurie varet nga procedurat ligjore dhe vendimmarrja e organeve kompetente. Por pikërisht këtu qëndron dilema që rëndon mbi kryeministrin. Nëse drejtësia kërkon masa të mëtejshme ndaj ish-zëvendëskryeministres, a do të respektojë ai procesin pa ndërhyrje politike?

Por këtë herë, për Ramën, problemi mund të mos jetë vetëm juridik. Është edhe politik. Për muaj me radhë, çështjet e korrupsionit dhe pakënaqësia ndaj mënyrës së qeverisjes kanë ushqyer një klimë proteste që po e vë kryeministrin përballë një presioni të drejtpërdrejtë publik.

Në këtë kontekst, mbrojtja politike e një bashkëpunëtoreje të nivelit të lartë mund të ketë një kosto më të madhe se më parë. Pikërisht këtu lind mundësia që Rama, përballë protestave dhe kërkesës për përgjegjësi, të zgjedhë të mos e pengojë më procesin ndaj Ballukut.

Nuk mund të thuhet se ai do ta bëjë këtë, por presioni publik mund t’ia ngushtojë hapësirën për ta trajtuar çështjen si një problem që mund të zgjidhet vetëm me manovra politike dhe deklarata për respektimin e drejtësisë. \tesheshi.com\