Në shumë shoqëri, rilindja e tyre matet me ndërtesat që ngrihen dhe me arritjet ekonomike që realizohen. Por ekziston edhe një tregues tjetër, më i thellë, të cilin statistikat nuk e shfaqin dhe numrat nuk e kapin: shkalla e mëshirës që përshkon marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të shoqërisë. Shoqëria, anëtarët e së cilës janë mësuar t’i shtrijnë duart për të dhënë, jo vetëm që ua lehtëson nevojën të varfërve, por ndërton ura besimi, mbjell shpresën dhe krijon një shoqëri më të sigurt dhe më të bashkuar.
Prandaj, bamirësia në Islam nuk ka qenë një veprimtari sezonale dhe as një reagim emocional ndaj një situate të papritur, por pjesë përbërëse e misionit të kësaj feje dhe një mjet për ta gjallëruar njeriun përpara se të jetë një mjet për t’i ardhur në ndihmë.
Islami erdhi për ta shndërruar bamirësinë nga një veprim individual e i kufizuar në një kulturë jetese. Ai nuk e kufizoi mirësinë te të pasurit apo te drejtuesit e institucioneve, por ua hapi dyert të gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë dhe i bëri fushat e saj më të gjera se pasuria. Fjala e mirë është sadaka, buzëqeshja është sadaka, largimi i një pengese nga rruga është sadaka dhe ndihma ndaj nevojtarit është sadaka. Profeti (a.s), ka thënë: “Çdo nyje e trupit të njeriut ka detyrimin e një sadakaje për çdo ditë në të cilën lind dielli. Të pajtosh dy njerëz është sadaka; ta ndihmosh një njeri me kafshën e tij të udhëtimit, duke e hipur mbi të ose duke i ngritur barrën mbi të, është sadaka; fjala e mirë është sadaka; çdo hap që hedh për të shkuar në namaz është sadaka; dhe largimi i një pengese nga rruga është sadaka.”[1] Shih se si, ndër format e sadakasë, ai përfshiu pajtimin ndërmjet njerëzve, ndihmën ndaj njeriut me kafshën e tij të udhëtimit, fjalën e mirë dhe largimin e pengesës nga rruga.
Kurani ka sqaruar gjithashtu vlerën e shpenzimit në rrugët e së mirës. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk do ta arrini mirësinë e plotë derisa të shpenzoni nga ajo që doni.”[2] Kështu, Ai e lidhi thelbin e mirësisë me dhënien e asaj me të cilën zemra është e lidhur, jo me asaj nga e cila njeriu ka hequr dorë. Dhe Ai i Lartësuar thotë: “Ata u japin përparësi të tjerëve para vetes, edhe pse vetë janë në nevojë.”[3] Kështu, Ai e ngriti bamirësinë në majën e saj.
Kush mediton mbi jetën e Profetit (a.s), kupton se bamirësia nuk ishte diçka dytësore në jetën e tij. Nëna e besimtarëve, Hatixhja, e përshkroi të Dërguarin e Allahut (a.s) si njeri me zemër të madhe, mëshira dhe bujaria e të cilit përfshinin njerëzit: ushqente të uriturin, strehonte të humburin, i jepte atij që ishte i privuar, ndihmonte të shtypurin, përkëdhelte kokën e jetimit dhe i gjendej pranë të sëmurit e të goditurit nga sprovat. Ajo i tha: “Gëzohu! Betohem për Allahun se Allahu kurrë nuk do të të poshtërojë. Ti i mban lidhjet farefisnore, e nderon mysafirin, ndihmon të paaftin, i jep atij që nuk ka dhe ndihmon në fatkeqësitë që godasin njerëzit për hir të së vërtetës.”
Nëna e besimtarëve, Aishja, e bija e Ebu Bekrit, e përshkroi sjelljen e tij duke thënë: “Ai merrej me punët e familjes së tij.”[4] Ai ishte gjithashtu më bujari ndër njerëzit, siç ka thënë Abdulla ibn Abasi: “I Dërguari i Allahut (a.s) ishte njeriu më bujar dhe bujaria e tij arrinte kulmin në Ramazan…” Bujaria e tij nuk kufizohej vetëm te pasuria, por përfshinte kohën, përpjekjen, ndërmjetësimin, mësimdhënien dhe mëshirën e tij, derisa dhënia u bë pjesë e personalitetit të tij dhe jo thjesht një vepër që kryhej në raste të caktuara.
Më pas, edukimi kuranor erdhi për të theksuar se vlera e bamirësisë nuk matet vetëm me sasinë e saj, por edhe me sinqeritetin dhe ruajtjen e dinjitetit të atij që përfiton prej saj. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Mos i zhvlerësoni lëmoshat tuaja me përmendjen e mirësisë dhe me lëndimin.”[5] Sa lëmoshë e madhe mund të jetë në sytë e njerëzve, por e vogël në peshoren e Allahut, sepse ka lënduar zemrën e një të varfri, ka kërkuar lavdërimin e njerëzve ose është shndërruar në mjet për t’u ngritur mbi të tjerët. Për këtë arsye, të parët tanë e fshihnin lëmoshën e tyre dhe përpiqeshin që e mira të arrinte te përfituesi i saj pa e bërë atë të ndiente se i ishte bërë ndonjë nder apo se po poshtërohej.
Koncepti i bamirësisë në Islam nuk kufizohet vetëm në trajtimin e nevojës së çastit, por shkon përtej saj, drejt krijimit të vetë-mjaftueshmërisë dhe ndërtimit të njeriut. Vakëfi islam, përgjatë shekujve, është një shembull unik në këtë drejtim. Toka, shtëpi, puse, shkolla, spitale dhe biblioteka janë lënë vakëf, në mënyrë që dobia e tyre të vazhdojë t’u shërbejë brezave. Profeti (a.s) ka thënë: “Kur njeriu vdes, vepra e tij ndërpritet, përveçse në tri raste: sadakaja rrjedhëse, dija prej së cilës përfitohet ose një fëmijë i mirë që lutet për të.”[6] Për këtë arsye, vakëfi ka qenë një nga shkaqet më të mëdha të lulëzimit të qytetërimit islam, sepse e zhvendosi punën bamirëse nga reagimi ndaj nevojave të çastit drejt planifikimit për të ardhmen.
Ndoshta një nga veçoritë më të bukura të konceptimit islam është se ai e zgjeroi rrethin e bamirësisë, duke përfshirë çdo krijesë. Profeti (a.s) ka treguar se një njeriu iu falën mëkatet nga Allahu, sepse i dha ujë një qeni që gulçonte nga etja, siç përcillet në Buhari dhe Muslim, ndërsa ka treguar se një grua hyri në Zjarr për shkak të një maceje që e kishte mbyllur, po ashtu sipas Buhariut dhe Muslimit. Nëse mëshira ndaj një kafshe mund të jetë shkak për falje ose ndëshkim, ç’mund të thuhet atëherë për bamirësinë ndaj njeriut, lehtësimin e vuajtjes së tij, ushqimin e të uriturit, mësimin e atij që nuk di dhe përkujdesjen ndaj jetimit?
Është gabim që disa njerëz të mendojnë se të bërit bamirësi u takon vetëm atyre që zotërojnë pasuri të mëdha. Profeti (a.s) ka thënë: “Ruajuni nga Zjarri qoftë edhe me gjysmën e një hurme; e nëse nuk e gjeni as këtë, atëherë me një fjalë të mirë.”[7]Kështu, askush nuk privohet nga një prej dyerve të mirësisë. Mësuesi që jep nga dija e tij, mjeku që lehtëson një dhimbje, nëpunësi që i zgjidh me sinqeritet nevojën një qytetari, i riu që dhuron kohën e tij si vullnetar dhe fqinji që i gjendet pranë fqinjit të tij, të gjithë këta kryejnë punë bamirëse, nëse i kanë të sinqerta nijetin e tyre dhe synojnë kënaqësinë e Allahut.
Me zhvillimin e jetës dhe zgjerimin e nevojave të njerëzve, janë zgjeruar edhe fushat e bamirësisë. Mbështetja e projekteve arsimore, përkujdesja ndaj personave me aftësi të kufizuara, përkujdesja ndaj jetimëve, financimi i kërkimeve të dobishme, kontributi në trajtimin e të sëmurëve, përkujdesja ndaj të moshuarve, pajtimi ndërmjet njerëzve, kujdesi për mjedisin dhe ndërtimi i platformave që përhapin dijen e saktë, të gjitha këto janë forma bashkëkohore që përmbushin objektivat e Sheriatit në ruajtjen e fesë, jetës, mendjes, pasurisë dhe shoqërisë. E rëndësishme është që puna bamirëse të mbetet e udhëhequr nga dija dhe urtësia, t’u ofrohet atyre që e meritojnë, të administrohet me ndershmëri dhe transparencë dhe të qëndrojë larg syefaqësisë apo shfrytëzimit të nevojave të njerëzve për interesa personale ose qëllime propagandistike.
Dhe nëse i varfri përfiton nga dhënia, edhe dhuruesi është ndër të parët që përfiton prej saj, sepse sadakaja e pastron zemrën nga koprracia, e edukon shpirtin me dhënien dhe mbjell tek ai besimin në premtimin e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Çfarëdo që të shpenzoni, Ai do t’jua zëvendësojë.”[8] Profeti (a.s) ka thënë: “Sadakaja nuk e pakëson pasurinë.”[9] Këto premtime nuk kufizohen vetëm te shtimi i pasurisë, por përfshijnë edhe bereqetin, qetësinë e zemrës, dashurinë e njerëzve dhe shpërblimin e madh tek Allahu.
Bota e sotme, pavarësisht numrit të madh të institucioneve të saj humanitare, ende ka nevojë për ringjalljen e frymës së dhënies përpara zgjerimit të programeve të saj, sepse vetëm pasuria nuk ndërton një shoqëri të mëshirshme. Atë e ndërtojnë zemrat që kanë mësuar t’i shohin nevojat e të tjerëve si përgjegjësi të tyre dhe jo si barrë mbi to. Këtë e ka kultivuar Islami në zemrat e pasuesve të tij që në ditën e parë, duke e bërë besimtarin si shiun: kudo që bie, sjell dobi; dhe si një trup të vetëm, ku, nëse një gjymtyrë ankohet, pjesa tjetër e trupit reagon ndaj saj me pagjumësi dhe ethe, siç përcillet në hadithin e saktë.
Bamirësia në Islam është më shumë se një projekt shoqëror, një veprimtari vullnetare apo një fushatë sezonale; ajo është përkthim praktik i kuptimit të adhurimit, dëshmi e gjallërisë së zemrës dhe shprehje e mirënjohjes ndaj Allahut për begatitë e Tij. Kur myslimani zgjat dorën për të dhënë, ai nuk mbush vetëm dorën e një të varfri, por plotëson një boshllëk në shoqëri, mbjell një farë shprese në shpirtin e një njeriu të goditur nga fatkeqësia dhe lë pas vetes një gjurmë që mbetet edhe pas largimit të tij.
Sa shumë nevojë ka umeti për burra dhe gra që e kuptojnë se jeta e tyre nuk matet me numrin e gjërave që kanë grumbulluar, por me numrin e zemrave që kanë gjallëruar, të lotëve që kanë fshirë dhe të dyerve të mirësisë që kanë hapur.
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu.
[2] – Sure Ali Imran: 92.
[3] – Sure Hashr: 9.
[4] – Buhariu.
[5] – Sure Bekare: 264.
[6] – Muslimi.
[7] – Muslimi.
[8] – Sure Sebe’e: 39.
[9] – Muslimi.








