Banka Qendrore e Turqisë do të mbështesë stabilitetin e çmimeve

Banka Qendrore e Republikës së Turqisë (TCMB) njoftoi se do të vazhdojë të përdorë të gjitha instrumentet në dispozicion për të siguruar stabilitetin e çmimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Banka Qendrore do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mbështetur stabilitetin e çmimeve”, tha banka në një njoftim.

Njoftimi erdhi pas publikimit të raportit të inflacionit për muajin gusht nga ana e institutit statistikor të vendit, TurkStat.

Sipas TurkStat, çmimet e konsumit në Turqi u rritën për 17,9 për qind në bazë vjetore muajin e kaluar, ndërsa inflacioni vjetor ishte 15,85 për qind në muajin korrik.

“Zhvillimet e fundit në lidhje me inflacionin tregojnë rreziqe të rëndësishme për stabilitetin e çmimeve”, tha Banka Qendrore.

“Prandaj, në përputhje me komunikimin e mëparshëm, qëndrimi monetar do të rregullohet në Takimin e Komitetit të Politikës Monetare në shtator si rezultat i zhvillimeve më të fundit”, thuhet më tej në njoftimin e bankës.

Në takimin e gjashtë të Komitetit të Politikës Monetare të bankës të mbajtur më 24 korrik, TCMB mbajti normën e saj të riblerjes njëjavore (Repo), e njohur edhe si norma e politikës së bankës, konstante në 17,75 për qind.

Sipas orarit të bankës, tri mbledhjet e ardhshme do të mbahen më 13 shtator, 25 tetor dhe 13 dhjetor.