Banka Qendrore e Turqisë mbajti të pandryshuar normën e saj të repos njëjavore, e njohur gjithashtu si norma e interesit në 14 për qind në përputhje me pritjet e tregut, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekonomistët të cilët u anketuan nga AA të martën parashikuan se norma e interesit do të mbetej konstante në 14 për qind.
Përmes një deklarate banka bëri të ditur se pret që procesi i uljes së inflacionit të fillojë në bazë të masave të marra dhe stabilitetit financiar së bashku me rënien e inflacionit falë efektit bazë.
Deklarata nënvizon nivelin e shfrytëzimit të kapaciteteve dhe tregues të tjerë kryesorë që tregojnë se aktiviteti i brendshëm ekonomik mbetet i fortë falë kërkesës së jashtme të fuqishme.
“Forcimi i tendencës së përmirësimit të bilancit të llogarisë korente është i rëndësishëm për stabilitetin e çmimeve”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se: “Komiteti vlerëson se dhënia e kredisë afatgjate të investimeve në lira turke do të luajë një rol të rëndësishëm në arritjen e këtij objektivi”.
Banka tha se pjesa e komponentëve të qëndrueshëm të rritjes ekonomike rritet ndërsa bilanci i llogarisë korente pritet të ketë një suficit në vitin 2022.
Turqia regjistroi një rritje vjetore prej 48.69 për qind të çmimeve të konsumit në janar.
Në janar, banka i dërgoi një letër të hapur qeverisë për të shpjeguar pse inflacioni u shmang nga objektivi i saj prej 5 për qind dhe masat për të arritur objektivat e saj në lidhje me çmimet.
Banka po kryen aktualisht një “rishikim gjithëpërfshirës të politikës monetare” për të arritur stabilitetin e përhershëm të çmimeve dhe strategjinë që ajo miratoi për të nxitur përdorimin e lirës turke në vend, që do të jetë “pjesa më e rëndësishme” e këtij procesi”. /aa








