Barcelona deklason Valencian, rikthehet në top katër

Barcelona ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim te Valencia, sfidë e vlefshme për xhiron e 25-të në La Liga.

Katalunasit fituan me rezultat të thellë 1 – 4.

Pierre-Emerick Aubameyang hapi serinë e golave pas një asistimi të Alba, gol që ishte i pari në fanellën e Barcelonës (23′).

Vetëm nëntë minuta më vonë, Ousmane Dembele asistoi për Frenkie de Jong, që shënoi nga afërsia (32′).

Barcelona nuk u ndal me kaq, me Aubameyang që shënoi golin e tretë, njëkohësisht të dytin personal pas një asistimi të Gavit (38′).

Tre minuta më vonë, Carlos Soler realizoi një eurogol në stilin gërshërë, por pas rishikimit të VAR-it u anulua.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Valencian që ngushtuan epërsinë përmes Soler, i cili u asistua nga Gil (53′).

Sidoqoftë, 10 minuta më vonë, i inkuadruari Pedri vulosi fitoren e mysafirëve me një eurogol nga distanca (63′).

Me këtë fitore, Barcelona rikthehet në top katër me 42 pikë, derisa Valencia renditët në pozitën e 12-të me 30 sosh.