Barcelona rikthehet fuqishëm në Ligën e Kampionëve

Fermin Lopez realizoi tri gola, Marcus Rashford dy e Lamine Yamal një në fitoren shumë të thellë të Barcelonës të martën mbrëma.

Barcelona mposhti Olympiacosin me rezultat 6:1, në ndeshjen e xhiros së tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.

Lopez realizoi shpejtë golin e parë. Ai shënoi golin e epërsisë së parë të Barcelonës në minutën e shtatë. Gjashtë minuta para fundit të pjesës së parë, Lopez shënoi edhe golin e dytë.

Olympiacosi ngushtoi epërsinë e Barcelonës në 2:1 nëpërmjet penalltisë së realizuar në minutën e 53-të nga Ayoub El Kaabi.

Por katër minuta më vonë, Olympiacosit iu përjashtua një lojtar me karton të kuq. Santiago Hezze u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.

Epërsinë numerike në fushë e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë Barcelona.

Për epërsinë 3:1 golashënues ishte Lamine Yamal. Ai shënoi golin e tretë për Barçën në minutën e 68-të nga penalltia e siguruar nga Marcus Rashford, i cili gjashtë minuta më vonë shënoi golin për 4:1.

Lopez “hat-trickun” e kompletoi në minutën e 76-të, kurse tre minuta më vonë Rashford shënoi golin e dytë personal dhe të rezultatit final, 6:1.

Barcelona ka fituar gjashtë pikë nga tri ndeshje. Olympiacosi ka një pikë.

Barcelona të dielën e luan “El Clasicon” kundër Real Madridit.

Ndërkohë, ndeshja tjetër ndërmjet Kairat Almatyt dhe Pafosit nuk dha fitues. Përfundoi baras, 0:0.