Bayerni e dënon kapitenin Neuer

Manuel Neuer ka qenë në qendër të vëmendjes në javët e fundit për krisjen që ka patur me Bayern Munchen. Sikur mos të mjaftonin deklaratat ndaj drejtuesve, portieri i Kombëtares gjermane ka marrë një gjobë të majme për shkak të dëmtimit të pësuar pas Kupës së Botës.

36-vjeçari dëmtoi gjurin duke bërë ski në ditët e para të dhjetorit, duke humbur pjesën e mbetur të sezonit. Sipas asaj që parashikon kontrata, lojtari pritet të ndëshkohet me një rrogë mujore gjobë.

Rroga sezonale e kapitenit të Bayernit është 20 milionë euro, çka do të thotë se 1.6 milionë euro është gjoba për shkak të dëmtimit. Mungesa e gjatë e portierit detyroi drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë të futeshin në merkato për të firmosur me Yann Sommer.

Zvicerani u bë pjesë e bavarezëve nga janari e menjëherë ka marrë vendin e titullarit. Neuer sulmoi ashpër drejtuesit pas largimit të trajnerit të portierëve Toni Tapalovic, një prej miqve më të mirë.

Kjo lëvizje është bërë shkak i një krisjeje që mund të thellohet edhe më tepër. Klubi ende nuk ka marrë masa ndaj lojtarit për deklaratat e forta, që pritet t’i kushtojnë 25 mijë euro gjobë.

ÇFARË THA NEUER:

“Lamtumira e Tapalovic ishte një goditje e rëndë për mua, pikërisht në periudhën që isha përtokë. Më dukej sikur po më dilte zemra nga vendi. Ishte ndjesia më brutale që kam përjetuar në karrierën time.

Nuk arrij dot ta kuptoj shkakun e këtij vendimi… Kam reflektuar gjatë dhe kam marrë gjithçka në konsideratë, përfshirë edhe të ardhmen time te Bayerni”.

SI U PËRGJIGJ KAHN:

Deklaratat e Neuer vijnë në një moment të gabuar, pasi kemi ndeshje shumë të rëndësishme përpara. Ai është i prekur personalisht dhe ne e kuptojmë.

Por, ne ia kemi shpjeguar se ishte vendimi i duhur për momentin. Edhe unë u zhgënjeva kur DFB (Federata Gjermane e Futbollit) largoi Sep Maier, por ka gjëra më të rëndësishme se ndjenjat personale. Prandaj nuk fola”.