BE njofton 8 milionë euro financim për të mbështetur njerëzit që ikën nga konflikti në Sudan

Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar 8 milionë euro financim për të mbështetur integrimin dhe mirëqenien e mijërave njerëzve që u larguan nga luftimet e vazhdueshme në Sudan dhe u strehuan në Sudanin e Jugut, transmeton Anadolu.

Financimi është pjesë e 17 milionë eurove të drejtuara përmes Komisarit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në vendet rajonale në kufi me Sudanin, përfshirë Çadin dhe Etiopinë.

“Programi synon përfshirjen e refugjatëve dhe të kthyerve në sistemin e ofrimit të shërbimeve duke përmirësuar jetesën e tyre dhe duke siguruar bashkëjetesë paqësore me komunitetit pritëse. Ai do të përmirësojë kushtet e jetesës së atyre që detyrohen të ikin dhe në të njëjtën kohë do të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, u tha gazetarëve në kryeqytetin Juba ambasadori i BE-së në Sudanin e Jugut, Timo Olkonnen.

Marie-Helene Verney, përfaqësuese e Sudanit të Jugut në UNHCR, vlerësoi Sudanin e Jugut për hapjen e kufijve për njerëzit që ikin nga konflikti në Sudan.

Verney tha se paratë do të përdoren për të ndihmuar njerëzit e zhvendosur të rindërtojnë jetën e tyre.

“Ky kontribut është një demonstrim solidariteti me Sudanin e Jugut dhe komunitetet që po presin refugjatët dhe të kthyerit”, tha Verney.

Shefi i misionit të IOM-it në Sudanin e Jugut, John McCue, nga ana e tij, tha se mbështetja humanitare për popullsinë e zhvendosur është e nevojshme për të rifilluar jetën e tyre. Ai shtoi se IOM-i dhe partnerët po bëjnë thirrje për më shumë mbështetje për të ndihmuar njerëzit e prekur nga kriza në Sudan.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), rreth 6.6 milionë njerëz janë zhvendosur brenda dhe jashtë Sudanit që kur shpërthyen luftimet midis ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në mes të muajit prill.