BE shpall konferencën e donatorëve për refugjatët ukrainas

Një konferencë donatorësh për të mbledhur para për miliona ukrainas që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre nga pushtimi rus do të mbahet në Varshavë më 9 prill, njoftoi të mërkuren Komisioni Evropian.

Konferenca synon të mbledhë fonde për ukrainasit që janë zhvendosur brenda vendit, si dhe për refugjatët ukrainas jashtë vendit. Takimi do të drejtohet personalisht nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe përmes një lidhjeje online nga kryeministri kanadez Justin Trudeau.

Konferenca vjen si rezultat i një fushate në median sociale nga Komisioni Evropian, qeveria kanadeze dhe OJQ-ja Global Citizen për të mbledhur para dhe donacione për ukrainasit e zhvendosur nga pushtimi rus. Persona të famshëm, duke përfshirë Madonna, Elton John dhe Miley Cyrus kanë dhënë tashmë mbështetjen e tyre.

Deri të mërkuren, mbi 4 milionë ukrainas janë larguar nga vendi që kur forcat ruse pushtuan Ukrainën më 24 shkurt, sipas OKB-së. Më shumë se 2.3 milionë refugjatë kanë mbërritur në Poloni. Përveç kësaj, rreth 6.5 milionë banorë janë zhvendosur brenda Ukrainës. /atsh