Befason Guardiola: Edhe këto dy skuadra janë në garë për titull

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se skuadra e tij do të sfidohet nga shumë skuadra në garën për titull në Premierligë.

Kampionët në fuqi të Premierligës, të mërkurën (nesër) do të udhëtojnë drejt ‘Goodison Park’ për t’u përballur me Everton, dhe me një fitore atje do të marrin kreun ndaj Liverpoolit, falë golaverazhit më të mirë.

Edhe pse Liverpool dhe Manchester City cilësohen si kandidatë kryesor në garën për titull në Premierligë, Guardiola mendon se kjo garë është në mes të shumë skuadrave, duke përfshirë edhe Manchester Unitedin dhe Chelsean.

“Kurrë nuk kam thënë se Tottenham nuk janë në garë për titull”, është përgjigjur Guardiola, derisa ka folur për ekipet pretendente për titull në Premierligë, përcjell ‘lajmi.net’.

“Kurrë nuk i kam konsideruar jashtë garës për titull pesë apo gjashtë ekipet e para në Premierligë, dhe Manchester United po afrohet nga javë në javë me fitore. Ata do të jenë në garë për titull”.

“Ne shikojmë tabelën dhe shikojmë pozitën e parë, dytë dhe tretë dhe themi se ata mund të bëhen kampion, dhe nuk shikojmë më shumë. Nëse Chelsea fiton ndeshje radhazi, do të jenë kandidatë për titull”.

“Të gjithë janë në garë për titull”.