Begaj betohet si president i Shqipërisë

Bajram Begaj ka dhënë betimin të diele në Kuvend si presidenti i tetë me radhë i Shqipërisë.

Begaj bëri betimin me dorë mbi Kushtetutë, e detyrën e nisi pas këtij procesi.

Më pas ai do të drejtohet drejt Presidencës, ku do të mbahet ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës nga presidenti i deritanishëm Ilir Meta te presidenti i ri Bajram Begaj.
Begaj ulet në karrigen e kreut të Shtetit, pas detyrës së tij të lartë si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pasi Parlamenti e votoi atë në qershor me 78 vota pro.

Emri i tij për të qenë presidenti i tetë me radhë i shtetit erdhi me bekimin e kryeministrit Edi Rama, i cili zgjodhi përsëri modelin e ushtarakut, duke iu referuar Alfred Moisut, që ai e cilësoi një sukses.

Bajram Begaj (55), ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Edhe karriera e tij në ushtri lidhet në pjesën më të madhe me profesionin e mjekut. Para se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në vitin 2020, për një periudhë trevjeçare ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. /ksp