Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë kanë rrënjë të thella historike, kulturore dhe njerëzore, raporton Anadolu.
Ambasada e Turqisë në Tiranë, në bashkëpunim me Prefekturën e Edirnesë dhe Gjyshatën Bektashiane Elbasan organizuan në qytetin e Elbasanit një program iftari.
Të pranishëm në programin e iftarit përveç presidentit Begaj dhe ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Tayyar Kagan Atay, ishin edhe nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, zv.guvernatorët e Edirnesë, Sidki Zehin dhe Omer Sevgili, përfaqësues të institucioneve të tjera turke dhe shqiptare dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.
Në fjalën e tij, Begaj u shpreh se Muaji i Ramazanit është një kohë reflektimi, një kohë për të ndalur ritmin e përditshëm dhe për të menduar më thellë për veten, për të tjerët dhe për përgjegjësinë ndaj shoqërisë.
“Në një botë që përballet shpesh me tensione, padrejtësi dhe polarizim, mesazhi i Ramazanit është shumë i qartë: njeriu është i fortë dhe më i fortë bëhet kur zgjedh drejtësinë, kur vetëpërmbahet dhe kur kujdeset për ata që kanë më tepër nevojë. Nuk është rastësi që ky iftar shtrohet në Elbasan. Ky qytet ka qenë historikisht një vend takimi kulturash, traditash dhe besimesh. Elbasani është një shembull i gjallë i harmonisë dhe ndërveprimit fetar”, tha Begaj.
Duke theksuar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë kanë rrënjë të thella historike, kulturore dhe njerëzore, ai tha: “Sot, këto marrëdhënie janë të forta dhe të zhvilluara në shumë fusha, nga ekonomia dhe arsimi, deri te bashkëpunimi strategjik si anëtarë NATO-s, por mbi të gjitha, ato mbështeten te lidhjet mes njerëzve, te respekti i ndërsjellë dhe tek vlerat që ne ndajmë”.
Presidenti Begaj shtoi se agjërimi mëson përulësinë, durimin dhe përgjegjësinë ndaj njëri-tjetrit.
Ambasadori turk Atay falënderoi Prefekturën e Edirnesë, sipas tij për mbështetjen e për organizimin e programit të iftarit.
“Kjo mbrëmje në fakt është vepër e një bashkëpunimi shumë të veçantë. Shpresoj që Muaji i Ramazanit, për të cilin është organizuar dhe iftari, në bashkëpunim me Prefekturën e Edirnesë dhe Gjyshatën Bektashiane të Elbasanit, të sjellë bekimet, paqen dhe mbarësi për dy vendet tona, për Shqipërinë dhe për Turqinë, të cilat kanë lidhje të forta dhe rrënjë të thella”, tha Atay.
Ai shtoi se për fat të keq, edhe ky Ramazan përkon me një periudhë tjetër të vështirë në të cilën po përjetohen shumë dhimbje dhe lot në Lindjen e Mesme. “Allahu i ndihmoftë të gjithë vëllezërit dhe motrat tona atje, të cilët janë të prekur nga lufta. Ne si Turqi dëshirojmë që sulmet dhe konfliktet e vazhdueshme të marrin fund sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kthehen në tryezën diplomatike për të rivendosur edhe një herë paqen në rajon”, theksoi ambasadori turk.
Ambasadori Atay shtoi se miqësia dhe vëllazëria midis vendeve dy vendeve, “siç ka qenë për shekuj me radhë, do të vazhdojë të forcohet edhe në të ardhmen”.
Zv.guvernatori i Edirnesë, Sidki Zehin u shpreh se Muaj i Ramazanit ashtu siç është bashkues ndërmjet njerëzve gjithashtu nxit solidarizimin me njerëzit në nevojë.
“Në emër të prefektit të Edirnesë e falënderoj përzemërsisht presidentin e Republikës së Shqipërisë i cili na është bashkuar sonte në këtë iftar. Ky iftar do të jetë i paharruar për ne”, tha Zehin.
Përfaqësuesi i Gjyshatës Bektashiane të Elbasanit, Haxhi Baba Ardit Selmani, u shpreh se prania e vëllezërve të ardhur nga Edirneja përbën një nder të veçantë dhe tejkalon simbolikën e një iftari të përbashkët.
“Në këto kohë të vështira, të shoqëruara me tensione, konflikte dhe luftëra në pjesë të ndryshme të botës, ne, si besimtarë bektashinj, bashkojmë lutjet tona me të gjithë besimtarët myslimanë dhe me çdo njeri paqedashës, duke dënuar çdo akt dhune, pavarësisht prejardhjes së tij, që bie ndesh me parimet e larta të Islamit. Çdo jetë e humbur nga dhuna është plagë për mbarë njerëzimin, sepse jeta është dhuratë hyjnore dhe shenjtëria e saj është e pacenueshme”, tha Selmani.
Programi i iftarit përfundoi me koncertin me ilahi nga artistët e Korit Shtetëror të Edirnesë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arteve të Bukura të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, si dhe me “shfaqjen sema”.


