Ballina Lajmet Kosovë Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president të Kosovës

Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president të Kosovës

Bekim Sejdiu është tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Sejdiu përmes një postimi në Facebook. Ai ka njoftuar se për vendimin e tij ka informuar përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Sejdiu ka thënë se vendimi për tërheqjen nga gara ka ardhur për shkak të mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij në postin e presidentit, si dhe për shkak të zhvillimeve politike që, sipas tij, e kanë devijuar procesin.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President i Republikës së Kosovës dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sejdiu.

Tërheqja e tij vjen në një kohë kur procesi për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës është përballur me zhvillime dhe përplasje politike.