Belgu Aksel Vicel, feston me shenjën e shqiponjës golin në Gjermani

Një gol në Kupën e Gjermanisë ka krijuar polemika për festimin me shenjën e shqiponjës. Nga Beogradi ka akuza për futbollistin belg, Vicel.

Ishte minuta e pestë dhe e fundit shtesë. Dortmundi ishte pranë eleminimit në Kupën e Gjermanisë, veçse shpëtoi për fare pak me golin e Aksel Vicelit, gol që krikoi polemika. Futbollisti i kombëtares së Belgjikës, papritmas e kremtoi me shenjën e shqiponjës, barazimin në fushën e Grojter Fyrtit. Diçka që nuk pritej për një lojtar që nuk është nga Shqipëria, apo shqiptar nga Zvicra, një nga ata që i kanë festuar rëndom golat në këtë mënyrë. Kremtimi i Vicelit nuk mbeti pa rënë në sy në Serbi.

Media “B92” e Beogradit, nuk e akuzoi belgun për provokim, por thjesht e krahasoi veprimin e tij me ato të shqiptaro-zviceranëve Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. “B92” shkruan se Xhaka e Shaqiri festuan me shenjën e shqiponjës pasi realizuan në ndeshjen Zvicër-Serbi në Botëror, duke provokuar tifozët serbë. Më ekstremiste, siç edhe pritej, gazeta bulevardeske “Kurir”. “Njerëz, kjo duhet ndalur menjëherë, – titullonte ajo, – belgu festoi golin me simbolin e Shqipërisë së Madhe. Kjo gjë ka shkuar shumë larg”.

“Kuririt” dikush duhet t’i sqarojë se shqiponja është së pari simbol i Shqipërisë apo i atyre që ndihen shqiptarë, pasi është pjesë përbërëse e flamurit shqiptar. Gjithsesi, përse Vicel festoi në atë mënyrë?

Mesfushori belg spjegon se kjo ndodhi për të imituar festimin e dikurshëm të sulmuesit francez, Nikolas Anelka, pasi shënoi një gol për Çelsin. Babai i Vicelit paska qenë tifoz i madh i Francës, dhe lojtari i sotëm i Dortmundit po ndjek gjurmët e të atit./abcnews.al