Anglia është kualifikuar si skuadra e parë evropiane për Kupën e Botës 2026, dhe këtë e ka arritur pa një nga yjet e saj më të mëdhenj, Jude Bellingham.
Mesfushori i Real Madridit nuk ishte pjesë e dy ndeshjeve të fundit të përfaqësueses, ndërsa përzgjedhësi Thomas Tuchel ka zgjedhur të mos garantojë një vend të sigurt për të në listën finale për turneun në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Vendimi për të lënë jashtë 22-vjeçarin ka shkaktuar reagime të forta në mediat britanike, ku Tuchel është kritikuar për qasjen e tij të rreptë.
Raportet mes Tuchel dhe Bellingham nuk janë gjithmonë të qeta. Në qershor, trajneri gjerman kritikoi mënyrën emocionale të reagimeve të lojtarit, duke thënë se “kur buzëqesh, fiton të gjithë, por nganjëherë shfaq një zjarr që mund të jetë i pakëndshëm për disa, për shembull për nënën time para televizorit”.
Më vonë, ai kërkoi falje për tonin e përdorur, por marrëdhënia mbeti e tendosur.
Megjithatë, përjashtimi i Bellingham nga lista përfundimtare për Botërorin është ende pak i mundshëm.
Lojtari ka vuajtur një dëmtim në shpatull në fillim të sezonit, por tashmë është rikuperuar dhe në formë.
Sipas Telegraph, Tuchel nuk po ofron garanci as për emra të mëdhenj si Phil Foden, Trent Alexander-Arnold apo Cole Palmer, duke nënvizuar qartësi se askush nuk është i paprekshëm në skuadër.
Pas fitores 5-0 ndaj Letonisë, Tuchel konfirmoi se do të kontaktojë personalisht me disa lojtarë të lënë jashtë, përfshirë edhe Bellingham.
“Po, është një lojtar i madh. Do të flas me shumë prej tyre, sidomos me ata që nuk ishin në grumbullim. Do të marrin mesazhe nga unë. Nuk është ndëshkim, thjesht një zgjedhje taktike. Të gjithë duan të kthehen, dhe ashtu duhet të jetë”, ka thënë Tuchel, duke lënë të kuptohet se derën nuk e ka mbyllur për askënd, por konkurrenca mbetet e ashpër.








