Berat Albayrak: Ekonomia turke po stabilizohet

Ministri i Thesarit dhe Financave të Turqisë, Berat Albayrak, deklaroi të dielën se ka filluar procesi i stabilizimit në ekonominë e vendit.

Dita e dytë e Takimit 27. Këshillimor dhe Vlerësues të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), që po mbahet në Këzëllxhahamam të Ankarasë, vijoi me prezantimin e bërë nga ministri Albayrak në lidhje me ekonominë turke.

Pas prezantimit në fjalë, krerët e AK Partisë realizuan gjithashtu mbledhjen e këshillimit dhe vlerësimit të përgjithshëm.

Siç bëjnë të ditur burimet pranë forcës politike turke në pushtet, Berat Albayrak ka dhënë informacione për normat e përgjithshme të debitimit duke u ndalur kryesisht mbi potencialin e treguesve ekonomikë të Turqisë.

Ai ka theksuar se niveli i borxhit publik të Turqisë ndaj produktit të brendshëm bruto (PBB) është 28 për qind, ndërkohë që në vendet në zhvillim kjo shkallë është rreth 49 për qind.

Shefi i ekonomisë turke potencoi se niveli i debitimit në sektorin publik është mjaft i mirë.

Në vijim, Albayrak ka bërë me dije se niveli borxhit për frymë ndaj të ardhura kombëtare është 16 për qind, ndërkohë që mesatarja e vendeve në zhvillim është diku tek 36 për qind dhe ajo botërore afro 60 për qind.

Ministri tërhoqi vëmendjen se Turqia është në një gjendje shumë më të mirë sesa mesatarja botërore dhe ajo e vendeve në zhvillim edhe në këtë aspekt, edhe në atë të nivelit të përgjithshëm të debitimit.

Berat Albayrak u ndal gjithashtu mbi çështjen e reduktimit të deficitit të llogarisë rrjedhëse. Ai shpjegoi se do të punohet në mënyrë të koordinuar me të gjitha ministritë që investimet të kanalizohen për rritjen e eksporteve, reduktimin e deficitit primar dhe sigurimin e prodhimit teknologjik.

“Këto do të jenë prioritete”, shtoi ministri turk i Thesarit dhe Financave duke paralajmëruar gjithashtu një program të fuqishëm për të luftuar inflacionin.