Ballina Lajmet Gjermania ofron ndihmë shtesë prej 221 milionë dollarësh për Ukrainën

Gjermania ofron ndihmë shtesë prej 221 milionë dollarësh për Ukrainën

Gjermania po ofron një ndihmë shtesë prej 200 milionë eurosh (221 milionë dollarë) për Ukrainën për të ndihmuar në ruajtjen e furnizimit me energji, ngrohje dhe ujë, njoftoi Berlini të premten, transmeton Anadolu.

Fondet e miratuara nga komisioni i buxhetit të parlamentit, vijnë pasi Kievi raporton se sulmet ruse janë intensifikuar mbi termocentralet energjetike dhe sistemet e ujit, duke prekur miliona civilë.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, në një deklaratë akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se synon qëllimisht infrastrukturën civile për të detyruar Ukrainën të kapitullojë.

“Sulmet e synuara të Rusisë ndaj infrastrukturës civile të Ukrainës lejojnë vetëm një përfundim: në vend që të vë bast përfundimisht për negociata serioze, Moska mendon se i ftohti i dimrit është në anën e saj. Kjo llogaritje do të dështojë, sepse Putini vazhdon të nënvlerësojë qëndrueshmërinë e Ukrainës dhe partnerëve të saj”, tha ai.

Ministrja e Zhvillimit, Reem Alabali Radovan, tha se Berlini do të vazhdojë të mbështesë autoritetet ukrainase në mbrojtjen e infrastrukturës civile, rivendosjen e furnizimeve të dëmtuara me energji dhe ujë si dhe zhvillimin e alternativave.

“Mbështetja jonë është një shenjë solidariteti, por edhe një kontribut për sigurinë në Evropë – dhe ndihmon për të siguruar që ukrainasit mund të vazhdojnë të jetojnë në vendin e tyre”, u shpreh ajo duke theksuar se “Kjo luftë dhe kjo vuajtje duhet të marrë fund. Një armëpushim energjie do të ishte hapi i parë”.

Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj për Ukrainën që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në vitin 2022. Shifrat e qeverisë gjermane tregojnë se Berlini ka ofruar ose caktuar më shumë se 45,7 miliardë euro (50,5 miliardë dollarë) në ndihmë civile dhe rreth 57,8 miliardë euro (63,9 miliardë dollarë) mbështetje ushtarake, duke e çuar totalin e kombinuar në afro 111,5 miliardë dollarë.

Shuma civile përfshin ndihmën për ukrainasit që jetojnë në Gjermani, ndërsa shifra ushtarake mbulon si ndihmën e dorëzuar tashmë, ashtu edhe angazhimet për vitet e ardhshme.