Berlini: Argumentet e Turqisë për NATO-n duhet të merren seriozisht

Christine Lambrecht

Vendimi për hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO duhet të merret unanimisht, ka thënë ministria gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht.

“Shqetësimet dhe argumentet e Turqisë për anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë në NATO duhet të merren seriozisht.”

Kështu ka bërë të ditur për gazetarët ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, në kuadër të ministerialit të BE-së, që u mbajt në Bruksel.

Lambrect shprehu kënaqësinë për përpjekjet e Helsinkit dhe Stokholmit për anëtarësim në NATO, duke theksuar se ky hap do të kishte pasoja pozitive si për dy vendet, ashtu edhe për Aleancën në tërësi.

Sipas saj, Suedia dhe Finlanda do ta pasurojnë bllokun e Atlantikut të Veriut.

“Të gjitha vendimet në lidhje me hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO duhet të merren unanimisht. Në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme që të zhvillohet një dialog intensiv me Turqinë. Në fund të fundit, do të jetë një avantazh i madh për NATO-n që dy vende kaq të fuqishme të BE-së si Finlanda dhe Suedia do t’i bashkohen Aleancës. Besoj se edhe Turqia do të bindet për këtë”, tha Lambrecht.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes beson se fakti që hyrja e Finlandës dhe Suedisë në NATO do të forcojë sigurinë e këtyre vendeve duhet të bëhet një argument i rëndësishëm.

“Gjermania mbështet pjesëmarrjen e këtyre dy vendeve në NATO. Kemi argumente të mira. Nga kjo do të përfitojnë jo vetëm Finlanda dhe Suedia, por edhe Aleanca”, u tha Lambrecht gazetarëve.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në një deklaratë që bëri të hënën në lidhje me anëtarësimin e mundshëm të Suedisë dhe Finlandës në NATO, te cilat i cilësoi si “fole terrorizmi”, kishte thënë: “Para së gjithash në këtë proces ne nuk mund t’i themi ‘po’ hyrjes në NATO, e cila është një organizatë sigurie, të atyre që zbatojnë sanksione kundër Turqisë”. /trt