Besimtarët myslimanë festojnë Kurban-Bajramin

Besimtarët myslimanë si në mbarë botën ashtu edhe në Kosovë, sot do të kremtojnë festën e Kurban-Bajramit.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban – Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Namazi i sabahut falet në orën 4:40.

Ligjëratën tematike kushtuar festës së Kurban – Bajramit do ta mbajë dr. Valon Myrta – anëtar i Kryesisë së BI të Kosovës dhe njëherësh kryetar i KBI-së në Gjakovë.

Namazi i Kurban-Bajramit falet në orën 05.51, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, ndërsa Hytben – mesazhin e Kurban – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

Me rastin e festës së Kurban – Bajramit, ditën e parë, më 20 korrik 2021, Kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban – Bajramit, duke e lutur Zotin që të na i pranoj, lutjet dhe ibadetet tona. Me fat festa e Kurban –Bajramit!”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.