Biden uron muslimanët me rastin e Ramazanit

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në një deklaratë në lidhje me ardhjen e muajit të Ramazanit, theksoi se paragjykimet dhe sulmet kundër muslimanëve janë të papranueshme dhe duhet të ndalen, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Gruaja ime Jill dhe unë u dërgojmë urimet dhe dëshirat tona më të sinqerta komuniteteve muslimane në SHBA dhe në gjithë botën. Ramazan të mbarë!”, ka thënë Biden në mesazhin e tij.

Duke deklaruar se ky vit është i vështirë për shkak të pandemisë dhe se njerëzit nuk mund të mblidhen së bashku për ta festuar këtë muaj dhe të ulen në tryezat e iftarit me të dashurit e tyre, Biden tha se “megjithatë, muslimanët po e fillojnë muajin e ndriçimit me shpresa të reja”.

Biden theksoi se muslimanët amerikanë e kanë pasuruar vendin që nga dita kur u themelua.

“Muslimanët kanë udhëhequr luftën tonë kundër COVID-19, duke luajtur një rol kryesor në zhvillimin e vaksinave dhe si punonjës të kujdesit shëndetësor në vijat e para”, është shprehur presidenti amerikan.

“Askush në Amerikë nuk duhet ta praktikojë besimin e tij me frikë”

Duke theksuar se muslimanët luajnë role të rëndësishme në fusha si sipërmarrja, reagimi i parë, arsimi dhe shërbimi publik, Biden vazhdoi:

“Por muslimanët janë ende shënjestër e ngacmimit, fanatizmit dhe krimeve të urrejtjes. Ky paragjykim dhe këto sulme janë të gabuara. Këto janë të papranueshme. Ata duhet të ndalen. Askush në Amerikë nuk duhet ta praktikojë besimin me frikë”.

Ai theksoi se është krenar që i dha fund ndalimit të udhëtimit për disa vende muslimane në ditën e tij të parë në detyrë.

“Unë do të vazhdoj të mbroj të drejtat e njeriut, duke përfshirë ujgurët në Kinë, muslimanët Rohingya në Mianmar dhe komunitetet muslimane në gjithë botën”, tha Biden.

“Ndërsa kujtojmë ata që kemi humbur që nga Ramazani i kaluar, ne shpresojmë për ditë më të ndritshme përpara. Kurani i Shenjtë na kujton se ‘Zoti është drita e qiejve dhe e tokës’ i cili na çon nga errësira në dritë”, ka thënë më tej presidenti i SHBA-së.

Këtë vit, Shtëpia e Bardhë do ta festojë Bajramin virtualisht për shkak të koronavirusit, tha Biden, duke shtuar se ai dhe zonja e parë mezi presin të rinisin festimin tradicional të Bajramit në Shtëpinë e Bardhë ballë për ballë vitin e ardhshëm. /aa