Ballina Lajmet Kosovë BIK: Hytbja e xhumasë së 13 shkurtit do t’i kushtohet Ditës së...

BIK: Hytbja e xhumasë së 13 shkurtit do t’i kushtohet Ditës së Pavarësisë dhe marshit për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka dalë në mbështetej të marshit të 17 shkurtit, i cili do të jetë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Përmes një deklarate për media, BIK-u ka vlerësuar se ligjërata e xhumasë së 13 shkurtit në të gjitha xhamitë e Kosovës do t’i kushtohet Ditës së Pavarësisë.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, përveç vendimeve të tjera, vendosi që të përkrahë fuqishëm marshin protestues “Liria ka emër”, i cili është paraparë të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve tanë, që padrejtësisht po mbahen dhe po tentohen të dënohen në Hagë. Kryesia e BIK-ut, gjyqin në Hagë e konsideron një proces me prapavijë politike, që ka për qëllim atakimin e vlerave të UÇK-së. Për popullin e Kosovës, UÇK-ja mbetet vlera më sublime, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e popullit dhe vendit tonë. Është e papranueshme që të relativizohen krimet serbe dhe, në të njëjtën kohë, përmes gjyqeve politike të krijohet një baraspeshë e rreme, siç po tentohet të veprohet nga gjykata në Hagë”, është thënë në deklaratën e BIK-ut.

Më tej, është bërë me dije se në këtë ligjëratë do të flitet edhe për mbështetjen e marshit “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

“Kryesia vendosi që hytbja e xhumasë, ditën e premte më 13 shkurt, në të gjitha xhamitë e Kosovës, t’i kushtohet 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit dhe tema bosht të jetë mesazhi përkrahës për luftëtarët e lirisë. Kryesia e BIK-ut po ashtu mbështet fuqishëm deklaratën e djeshme të Myftiut Naim ef. Tërnava kundër kërkesës së prokurores së Dhomave të Specializuara, e cila ka kërkuar dënim për çlirimtarët tanë. Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe besojmë se drejtësia do të fitojë. Ftojmë të gjithë që të marrin pjesë në marshin protestues në mbështetje të çlirimtarëve tanë më 17 shkurt në Prishtinë”, është thënë në deklaratë.