Këshillat e Vuçiçit përballë protestave të të rinjve
Në një kohë kur Edi Rama përballet me protestat e të rinjve që kërkojnë largimin e tij nga pushteti, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka zgjedhur ta mbështesë publikisht kryeministrin shqiptar, duke e cilësuar si një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë.
Por, përtej komplimenteve, mesazhi i udhëheqësit serb përmban edhe një paralajmërim politik. Sipas tij, Rama gaboi duke humbur kohë në përpjekjet për të zbutur protestuesit dhe mund të përballet me vështirësi serioze nëse detyrohet të shkojë në zgjedhje.
Gjatë një interviste në emisionin “Prva tema”, transmetuar mbrëmjen e 21 tetorit në televizionin serb Prva, Vuçiçi komentoi zhvillimet politike në Shqipëri, duke u ndalur te mënyra se si homologu i tij shqiptar po përballon valën e protestave.
Ai nuk i kurseu vlerësimet për Ramën, por njëkohësisht la të kuptohet se përpjekjet për të fituar kohë përmes dialogut me protestuesit, mund të kthehen në një gabim me pasoja elektorale.
“Rama bëri një gabim. Edi besoi më gjatë se unë se mund t’i zbuste disi. Dhe gaboi. Humbi kohë. Nëse e detyrojnë të shpallë zgjedhje, do ta ketë shumë të vështirë t’i fitojë”, deklaroi Vuçiç.
Megjithatë, presidenti serb e shoqëroi këtë vlerësim kritik për strategjinë e Ramës me një kompliment të jashtëzakonshëm për kryeministrin shqiptar.
“E gjithë kjo më duket irracionale, sepse ai është një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë, sido që ta shikosh…”, u shpreh ai, duke i dhënë mbështetje publike një kryeministri që po përballet me një sfidë të fortë.
Deklaratat e Vuçiç marrin një domethënie të veçantë, në kushtet kur edhe vetë Serbia është përballur me protesta të gjata, të udhëhequra kryesisht nga studentët.
Presidenti serb foli gjithashtu për reagimin e autoriteteve ndaj demonstratave në vendin e tij, duke pretenduar se policia serbe nuk kishte përdorur autobotë uji kundër protestuesve.
Kështu, ndërsa Rama përpiqet të përballojë kundërshtimin e të rinjve shqiptarë, Vuçiç ofron njëkohësisht komplimente dhe këshilla nga përvoja e tij me protestat.
Ai duket se e sheh dialogun e zgjatur me demonstruesit si një rrezik politik, sidomos nëse pakënaqësia qytetare përkthehet në zgjedhje të parakohshme.
Komentet e tij vijnë në ditën e dhjetë të protestave në Shqipëri, ku studentë dhe qytetarë kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Kryeministri ka vijuar thirrjet për dialog, por protestuesit i kanë refuzuar ofertat e tij dhe kanë këmbëngulur se objektivi i tyre mbetet largimi i tij nga pushteti.
Në këtë klimë, superlativat e presidentit serb për Ramën tingëllojnë si më shumë se një kompliment diplomatik. Ato shprehin solidaritetin politik mes dy udhëheqësve autokratë në një moment kur të dy përballen me pakënaqësi dhe protesta qytetare.
Rezultatet e zgjedhjeve në Serbi këtë të diel mund të japin sinjale të rëndësishme edhe për llogaritë politike të Ramës në javët dhe muajt e ardhshëm. Nëse Vuçiç del fitues, kjo mund ta nxisë kryeministrin shqiptar të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, njëkohësisht me zgjedhjet lokale në pranverën e vitit të ardhshëm.
Por një skenar i tillë do të kishte edhe koston e vet. Shpërndarja e Kuvendit, fushata elektorale dhe konstituimi i institucioneve të reja mund të kërkonin të paktën pesë deri në gjashtë muaj, duke rrezikuar të vononin më tej negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. \tesheshi



