Bislimi në Merdarë: Është një sinjal që Serbia nuk është e gatshme të punojë drejt normalizimit

Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi i është ndaluar sot vizita dyditore në Serbi nga Policia e këtij shteti.

Bislimi pas kthimit të tij nga Serbia ka dalë në një konferencë për media, ku tha se kërkesën për pjesëmarrje në Beograd e kanë bërë javën e kaluar dhe e njëjta ka qenë e aprovuar nga pala serbe.

Sipas tij, siguria ka qenë e cenuar dhe Serbia nuk është e gatshme të punojë drejt normalizimit.

“Kemi paraqitur kërkesën qysh javën e kaluar dhe ka qenë e aprovuar dhe sot gjithçka ka qenë në rregull derisa në një moment të caktuar na është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë siguri. Siguria ka qenë e cenuar. Për neve është një sinjal që Serbia nuk është e gatshme të punojë drejt normalizimit. Ajo duhet ta pranojë se është e dobët për të ofruar siguri për pjesëmarrësit”, ka deklaruar ai.

Ai shton se arsyeja e ndalimit të vizitës është diku tjetër.

“Arsyeja është diku krejt tjetër për arsye se ne kemi pasur për qëllim që Beogradit dhe korit diplomatik të ofrojmë versionin e Kosovës mbi zhvillimet që janë dhe drejt normalizimit të situatës”, tha Bislimi.