Blinken thotë se pajtohet me Biden-in: Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë

Kryediplomati amerikan tha se SHBA-ja po vazhdon të dokumentojë prova të krimeve të mundshme të luftës në mënyrë që të mund të merret një përcaktim zyrtar

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se pajtohet me presidentin amerikan Joe Biden se Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë shtypi, Blinken tha se Rusia kohët e fundit “ka përforcuar” sulmet e saj kundër Ukrainës “me qëllimin e thyerjes së vullnetit të popullit” dhe ai personalisht është i bindur se krime të luftës po kryhen bazuar në shkatërrimin që është bërë gjatë ofensivës ushtarake të Moskës.

Kryediplomati amerikan tha se SHBA-ja po vazhdon të dokumentojë prova të krimeve të mundshme të luftës në mënyrë që të mund të merret një përcaktim zyrtar dhe “për t’u siguruar që gjetjet tona ndihmojnë përpjekjet ndërkombëtare për të hetuar krimet e luftës dhe për t’i mbajtur autorët përgjegjës”.

Rusia filloi luftën e saj kundër Ukrainës më 24 shkurt. Ajo ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, ka çuar në sanksione të mëdha financiare dhe kontrolle të eksporteve ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të firmave globale nga Rusia.

Të paktën 780 civilë janë vrarë dhe 1.252 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, sipas OKB-së, e cila thekson se numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë.

Më shumë se 3,2 milionë njerëz kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, sipas shifrave të OKB-së. /aa