Borrell: Putini të kuptojë se BE-ja nuk do të ndalojë së ndihmuari Kievin

Presidenti rus, Vladimir Putin duhet të kuptojë se ne nuk do të tërhiqemi, ndaj mos prisni që ne të lodhemi, ne nuk do të lodhemi duke ndihmuar Ukrainën, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.

Deklarata e Borrell erdhi pas mbërritjes së tij në Këshillin joformal të Punëve të Jashtme të BE-së, në Stokholm.

Borrell theksoi gjithashtu se, përveç ndihmës ushtarake për Kievin në frontin e vijës së parë, do të nevojitet edhe një plan mbështetje shumëvjeçare për Ukrainën.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian do të diskutojnë marrëdhëniet e ardhshme të bllokut me Kinën, si dhe mbështetjen për Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen u kërkoi vendeve të BE-së kohët e fundit të reduktojnë rreziqet që lidhen me varësinë industriale të bllokut. /atsh