Bota vuan për shokun

Shpesh jam menduar për kuptimin dhe përmbajtjen e fjalës shok/shoç. Sot, gjithsecili të thirr shok, qoftë edhe në formë pasthirrme, por a është kaq e thjeshtë të jesh, të bëhesh dhe të mbetesh shok?

Në gjuhën turke, shokut i thonë “Arkadaş” e që në përkthim i bie, kur dy veta e ndajnë një palcë kurrizore, kur dy vet janë të bashkuar shpinë për shpine dhe ua ruajnë shpinat njani tjetrit. Në gjuhën arabe shokut i thojnë “sadik” që në përkthim i bie besnik. Sinonim i shokut është besnikëria. Në gjuhën angleze i thonë “friend/fround” e që në thelb do të thotë të duash, të dashurosh, ta bashkëndash dashurinë me tjetrin. Në gjuhën frënge është “frère” vjen nga fredre/frater do të thotë vëlla (murg). Kurse në gjuhën shqipe fjala shok ka prejardhjen nga rrënja e njëjtë me gjuhët e tjera indo-europiane “sok/sek” që do të thotë të ndjekësh, të ndash, bashkëndash diçka.
Shoku, shpesh, është më i afërt se i vëllai. Në qoftë se ajo që bashkëndanë me të, ka kuptim më shumë se gjaku dhe prejardhja. Shoku më i afërt është ai që ke ndarë fëmijërinë dhe rininë me të. Pas një kohé, vështirë është të gjesh shok, përkundër faktit se shumë njerëz i thërrasim shokë. Shoku, është personi dashuria ndaj të cilit kalon, ideologjinë, interesin dhe bindjet partiake. Ajo është më e thellë se “vëllazëria” fetare, nacionale apo “vëllazëria” e kauzës. Dikur kishim shokë të burgut, shokë të luftës, shokë të ushtrisë dhe shokë të kurbetit. Shokë ishin personat që kishin ndarë mes vete gjëra shumë të veçanta dhe intime dhe ato varroseshin s’bashku me trupat e tyre. Përmallimi shprehet me përqafim të fortë e muhabet në mexhlise që zbardhin agimet. Dashuria, herë herë, shprehet me hidhërim, e pikëllimin me shikim. Shoku është një shpatull ku mund të qash e të përlotesh.
Bota vuan për shokun! Sot, nëse pandehni se ka një person të tillë, të cilët keni një palcë të përbashkët kurrizore, të mbështetur shpinë për shpine dhe shquheni për besnikëri, ndani një të kaluar të thellë, dashuria për të cilën ndjeni nuk ka ideologji dhe botëkuptim që mund ta rrëmojë e rrënojë, atëherë ju në të vërtetë keni diçka më shumë se Botën dhe gjithçka që ka në të!

Nga Latif Mustafa, Shkup