Kombëtarja e Egjiptit ka triumfuar ndaj Australisë pas ekzekutimit të penalltive pasi për 120 minuta rezultati ishte i barabartë 1-1, për të siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Botëror 2026.
Australia ishte pranë avantazhit që në minutën e pestë, kur Cristian Volpato lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, por topi u ndal nga traversa.
Megjithatë, ishte Egjipti ai që kaloi i pari në epërsi. Në minutën e 13-të, Emam Ashour shfrytëzoi në mënyrë perfekte një krosim nga Karim Hafez dhe realizoi nga afërsia për rezultatin 1-0.
Skuadra afrikane administroi mirë avantazhin deri në pushimin mes pjesëve, duke mos i lejuar Australisë të krijonte shumë raste të pastra për gol.
Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, Omar Marmoush pati mundësinë ideale për ta dyfishuar epërsinë e Egjiptit, por goditja e tij nga brenda zonës përfundoi ngushtë jashtë portës.
Australia arriti të rikthehej në lojë në minutën e 55-të në një mënyrë të pazakontë. Pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar në zonë, Mohamed Hany devijoi topin në portën e tij, duke shkaktuar autogol dhe duke barazuar rezultatin në 1-1.
Në vazhdime, Egjipti u tregua disi më këmbëngulës. Mohamed Salah humbi një mundësi të mirë në minutën e 93-të, kur pas një pasimi të Omar Marmoush goditi mbi traversë nga një pozitë premtuese.
Pas 120 minutave të luftuara, rezultati mbeti i pandryshuar në 1-1, ndërkaq në penallti më të saktë u treguan Egjipti që fituan me rezultat 4-2.








