Britania do t’i dërgojë raketa me rreze të gjatë Ukrainës

Britania e Madhe planifikon t’i dërgojë Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi për herë të parë, njoftoi sot sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai tha se Britania do të marrë një rol udhëheqës në furnizimin e ushtrisë ukrainase me “armët jetike që u nevojiten për të mbrojtur vendin e tyre nga pushtimi i paprovokuar”, duke iu referuar luftës së Rusisë ndaj vendit.

“Ndërsa taktikat e Rusisë ndryshojnë, po ashtu duhet edhe mbështetja jonë për Ukrainën”, shtoi Wallace.

“Këto sisteme shumë të afta raketash me shumë lëshime do t’u mundësojnë miqve tanë ukrainas të mbrohen më mirë kundër përdorimit brutal të artilerisë me rreze të gjatë, të cilën forcat e Putinit e kanë përdorur pa dallim për të rrafshuar qytetet”, tha sekretari britanik.

Vërejtjet e Wallace-s erdhën pasi presidenti rus Vladimir Putin u zotua se Moska do të godiste më shumë objektiva në Ukrainë nëse Perëndimi do të dorëzonte më shumë armë.

“Nëse tani bëhet fjalë për raketat dhe ato dorëzohen, ne do të nxjerrim përfundime nga kjo dhe do të përdorim armët tona që i kemi në sasi të mjaftueshme për të goditur ato objekte që nuk i kemi sulmuar deri më tani”, tha Putin në një intervistë për kanalin televiziv ‘Rossiya-1’.

Në fillim të kësaj jave, presidenti i SHBA-së, Joe Biden njoftoi 700 milionë dollarë ndihmë shtesë për sigurinë e Ukrainës.

Sistemi i raketave me shumë lëshime M270 i prodhuar në SHBA mund të lëshojë 12 raketa tokë-tokë në një minutë për të goditur objektivat në një rreze prej 80 kilometrash. /aa