Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Britania mirëpret njoftimin e Trumpit për pezullimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike...

Britania mirëpret njoftimin e Trumpit për pezullimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit

Britania e Madhe ka mirëpritur sot njoftimin e presidentit të SHBA-së Donald Trump për një shtyrje pesëditore të të gjitha sulmeve ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane, duke thënë se një zgjidhje e shpejtë e luftës është në interesin global, transmeton Anadolu.

“Çdo raport për bisedime produktive është i mirëpritur”, citoi BBC zëdhënësin zyrtar të kryeministrit Keir Starmer.

Sipas zëdhënësit, Britania ka thënë gjithmonë se një zgjidhje e shpejtë e luftës është në interesin global dhe se “Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet posaçërisht”.

Trump, sot tha se ka urdhëruar një shtyrje pesëditore të të gjitha sulmeve ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane, duke përmendur bisedime “shumë të mira dhe produktive” me Teheranin gjatë dy ditëve të fundit.

“Jam i kënaqur të raportoj se SHBA-ja dhe Irani kanë pasur, gjatë dy ditëve të fundit, biseda shumë të mira dhe produktive në lidhje me një zgjidhje të plotë dhe totale të armiqësive tona në Lindjen e Mesme”, tha Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.

Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit filluan më 28 shkurt ndërsa Teherani është hakmarrë përmes sulmeve të përsëritura me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin dhe vendet e Gjirit që strehonin asete ushtarake amerikane.