Mbi 70.000 jetë të këputura kërkojnë drejtësi: sallat e gjyqit, fusha e fundit e betejës për dinjitet njerëzor!
Nga Osama Al-Sharif, Arab News
Ndërsa vazhdon lufta e Izraelit në Gaza, një fushëbetejë e re po shfaqet në sallat e gjykatave në mbarë botën. Aktivistë ligjorë, nga Evropa deri në Amerikën Latine, po hedhin bazat e kërkimit të përgjegjësisë penale për mbi 70.000 palestinezë të vrarë dhe miliona të tjerë të plagosur apo të zhvendosur.
Pyetja sot nuk është më nëse Izraeli do të përballet me pasoja ligjore, por kur. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike për paqe dhe planeve për administrimin e Gazës pas luftës, fundi i luftimeve nuk duhet të nënkuptojë amnistim për gjakderdhjen.
Duhet të nisë një përpjekje ndërkombëtare për të sjellë para drejtësisë çdo individ në institucionet politike dhe ushtarake izraelite që ka mundësuar ose kryer krime lufte. Ushtria izraelite ka pranuar tashmë se numri i të vdekurve ka kaluar 70.000, një shifër që përfshin më shumë se 20.000 fëmijë.
Aktualisht, Izraeli përballet me dy sfida kryesore: akuzën për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) dhe urdhër-arrestet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për Benjamin Netanyahun dhe Yoav Gallant.
Edhe pse presioni nga administrata e SHBA-së dhe Kongresi Amerikan ka qenë i madh, duke përfshirë sanksione ndaj gjyqtarëve, procesi ligjor po zgjerohet në nivel kombëtar në shumë shtete. Krimet e dokumentuara nuk kufizohen vetëm në Gaza, por shtrihen edhe në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Meqenëse Autoriteti Palestinez është i kufizuar në veprimet e tij, rruga alternative mbetet ngritja e padive nga viktimat që kanë shtetësi të dyfishtë (si palestinezë-amerikanët) në gjykatat perëndimore. Një rol kyç po luajnë organizatat jofitimprurëse.
Fondacioni “Hind Rajab”, i krijuar në Bruksel në vitin 2024, po dokumenton krimet dhe po paraqet dosje kundër qindra ushtarëve izraelitë në juridiksione të ndryshme. Po ashtu, koalicione si “Global 195” dhe Qendra Ndërkombëtare e Drejtësisë për Palestinezët po përdorin “juridiksionin universal” për të ndjekur penalisht zyrtarët përgjegjës.
Ritmi i këtyre proceseve duhet të përshpejtohet. Akademikët, mjekët dhe gazetarët duhet të bashkohen për të paditur shkatërrimin e qëllimshëm të infrastrukturës civile dhe vrasjen e intelektualëve. Çdo bombardim i strehimoreve dhe përdorimi i ndihmave si armë, ofron bazë të mjaftueshme ligjore për hetim.
Në një botë të drejtë, llogaridhënia nuk duhet të jetë opsionale. Mesazhi për Tel Avivin është i qartë: koha e pandëshkueshmërisë po mbaron. Drejtësia mund të jetë e ngadaltë, por dokumentimi masiv i krimeve po siguron që përgjegjësit të përballen me pasojat, rast pas rasti, gjykatë pas gjykate. /tesheshi.com/








