Bugatti, marka ikonë e supermakinave luksoze, po zgjeron aktivitetin e saj përtej industrisë automobilistike duke ndërtuar kullën e parë rezidenciale në Dubai. Me çmime që nisin nga 5.2 milionë dollarë për apartament, projekti synon tregun e rezidencave të markuara, një segment në rritje të shpejtë për klientelën super të pasur.
Kulla 43-katëshe po ndërtohet në partneritet me Binghatti Properties dhe do të ofrojë apartamente ultra-luksoze, përfshirë ‘penthouse’ me ashensorë privatë për makinat, që lejojnë pronarët t’i parkojnë ato brenda banesës. Ndër blerësit e njohur përmenden figura si futbollisti Neymar Jr. dhe tenori Andrea Bocelli.
Rezidencat po zhvillohen gjithnjë e më shumë nga marka luksoze jo-hoteliere, përfshirë Porsche, Aston Martin, Jacob & Co, Fendi dhe Missoni. Sipas raporteve ndërkombëtare, numri i këtyre projekteve është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe pritet të vazhdojë të rritet deri në vitin 2030, me Lindjen e Mesme dhe veçanërisht Dubain si qendër kryesore të zhvillimit.
Ekspertët theksojnë se këto prona shiten zakonisht 30–40% më shtrenjtë se banesat luksoze pa markë, duke ofruar shërbime ekskluzive, ambiente wellness dhe përvoja unike jetese. Fenomeni shihet si shprehje e kërkesës për status social, identitet dhe ekskluzivitet, megjithëse disa specialistë paralajmërojnë se prania e tepruar e markës mund të perceptohet negativisht nga një pjesë e publikut.







