Bullgari – Gjysma e refugjatëve ukrainas pritet të largohen nga vendi

Mariana Tosheva

Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore bullgare për Refugjatët, Mariana Tosheva tha se refugjatët ukrainas të vendosur në hotelet bregdetare bullgare do të zhvendosen deri në fund të muajit.

Tosheva tha se për momentin 63 000 ukrainas janë duke qëndruar në hotelet buzë detit.

Sipas Toshevës, situata është dinamike dhe më shumë se gjysma e atyre 63 000 ukrainasve nuk pritet të qëndrojnë në Bullgari.

Tosheva tha se më shumë se 33 000 vende për akomodim janë konfirmuar në objektet komunale për të pritur refugjatët e zhvendosur nga hotelet buzë detit.

Objektet komunale që strehojnë refugjatët ukrainas do të marrin mbështetje në shumën prej 15 leva në ditë për person.

Tosheva tha se programi për akomodimin e refugjatëve ukrainas në hotelet bullgare, të cilët marrin ndihmë shtetërore për këtë, ishte rënë dakord të përfundonte më 31 maj.

Ajo tha se masa ishte shpallur si e përkohshme dhe se nga 1 qershori “fillon faza e integrimit, pasi këta njerëz kanë pasur pak kohë të gjejnë vendqëndrimin e tyre apo të thonë nëse janë të gatshëm të gjejnë punë dhe ku”.

Tosheva tha se 2 441 ukrainas hynë në Bullgari të shtunën, por 2 792 prej tyre u larguan.

Ajo vuri në dukje se ka një tendencë ku numri i ukrainasve që largohen nga Bullgaria është më i lartë se numri i të ardhurve. /atsh